Trepça dhe Bashkimi do të ballafaqohen nesër mbrëma në ‘Minatori’ në finalen e gjashtë të ‘Play-off-it’.
Seria finale është 3:2 për ‘Xehetarët’ dhe nëse fiton Trepça, atëherë do të mbrojë titullin e kampionit dhe festa do të jetë e madhe në Mitrovicë.
Në anën tjetër, portokallezinjtë luftojnë për fitore për të barazuar serinë finale në 3:3, në mënyrë që finalja vendimtare të jetë të dielën në Prizren.
Një nga figurat kryesore e ikonike të qytetit të Mitrovicës, tifozi i ‘zjarrtë’ i Torcidës, Shefqet Begu është optimist që mitrovicasit do ta fitojnë titullin kampion dhe premton gjithashtu atmosferë të jashtëzakonshme.
“Atmosfera do të jetë në nivelin më të lartë. ‘Torcida’ dhe shikuesit janë në entuziazmin më të madh. Dëshira ime është që Trepça ta fitojë nesër titullin kampion. Trimat që luftojnë me zemër dhe mbrojnë ngjyrat gjelbërt e zi, i shpërblen edhe Zoti”, deklaroi Begu për ‘GazetaBlic Sport.
Duhet cekur që këto dy skuadra u përballën katër herë në edicionin e rregullt me nga dy fitore secila skuadër, e po ashtu ishin përballur edhe në finalen e Kupës, ku triumfuan ‘Xehetarët’.
Ndeshja Trepça-Bashkimi fillon në orën 19:00.
/GazetaBlic Sport/