Lajme

Qerkini: Tribunali Ndërkombëtar mund të funksionalizohet

05/16/2019 12:08
nga:L H

Avokati i njohur Artan Qerkini ka thënë se ideja për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet serbe duhet përshëndetur sepse sipas tij viktimat kërkojnë drejtësi dhe ky Tribunal është një mundësi e mirë që të gjitha viktimave t’u ofrohet drejtësi për të gjitha vuajtjet që i kanë përjetuar.

“Natyrisht formimi i Tribunalit nuk është punë e lehtë. Nëse formimin e këtij Tribunali e marrim në analogji me formimin e Gjykatës Speciale dhe i krahasojmë, atëherë do ta shohim se për formimin e Speciales është dashur një angazhim shumë i madh i ekspertëve, pastaj një kohë shumë e gjatë dhe mjete financiare shumë të mëdha. Po ashtu të gjithë e dimë se ideja fillestare për Specialen është shfaqur në opinion diku nga viti 2010 dhe të gjithë jemi dëshmitar se ajo është funksionalizuar vetëm në vitin 2018. Prandaj, duhet të kemi parasysh se edhe formimi i këtij Tribunali do të kërkojë kohë dhe angazhim të shumë ekspertëve dhe resurseve financiare”, ka theksuar Qerkini në Televizionin Publik.

Tutje ai ka thënë se ndonëse kanë kaluar 20 vite që nga lufta dhe krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, asnjëherë nuk është vonë për ndëshkimin e kriminelëve.

“Nuk duhet të harrojmë se misionet ndërkombëtare kanë qenë ato që e kanë pasur kompetencë ekskluzive që të merren me krimet e luftës dhe kjo mund të jetë arsyeja që ndoshta institucionet tona deri më tash nuk e kanë marrë ndonjë hap serioz për formimin e këtij Tribunali. Sidoqoftë, fati në fatkeqësi është se krimet e luftës nuk parashkruhen. Ne jemi dëshmitar të gjykimit të krimeve që nga Lufta e Dytë Botërore, por sa më shumë kohë të kalojë aq më e vështirë do të jetë për t’i provuar rastet, pasi mund të vijë deri te zhdukja e provave, pastaj vdekja e dëshmitarëve që kanë pasur mundësi të japin dëshmi para organeve kompetente etj. Prandaj, të gjitha resurset qoftë njerëzore dhe ato financiare duhet të angazhohen që të kemi një proces më të shpejtë të kësaj gjykate”, ka shtuar tutje Qerkini.

Ai mendon se ideja për formimin e këtij Tribunali nuk është e parealizueshme, por kërkon angazhim të madh, mjete financiare por edhe mbështetje nga Bashkësia Ndërkombëtare.

“Kur është hedhur në opinion ideja për krijimin Gjykatës Speciale ka pasur dilema se si ka mundësi që Gjykata e një shteti të funksionojë në territorin e një shteti tjetër, prandaj edhe ideja e Tribunalit nuk është ide e parealizueshme dhe jam i bindur se nëse Bashkësia ndërkombëtare punon me përkushtimin e njëjtë siç ka punuar për krijimin e Gjykatës Speciale, atëherë edhe ky Tribunal mund të ketë karakterin ndërkombëtar”, ka nënvizuar Qerkini.