Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati për emisionin “Expose”, ka njoftuar se ata si komunë kanë vepruar me rastin e ndërtimit të kazinove të reja.
Ai tha se inspektorati ka dalë në teren, derisa sipas tij një objektit i është ndaluar puna.
“Atëherë për me qartësua në fillim, mandati i komunës është me i trajtua objektet pa leje, nëse ato nuk kanë leje. Dhe në këtë drejtim jemi informuar se inspektorati i ndërtimit 4-5 herë ka shku atje dhe një prej objekteve i janë ndërprerë punimet. Dhe ka aplikua në Drejtorinë e Urbanizmit për shtallë për leje”, thotë ai, raporton Gazeta Blic.
Sipas tij, dy objektet tjera kanë qenë pa leje të cilat janë urdhëruar me i ndërpre punimet.
“Por sipas informatave njëra veçse nuk e ka respektua këtë masë, për të cilën së shpejti bëhet kërkesa për rrënim. Ndërsa objekti tjetër nuk është duke i respektuar kriteret, dhe duhet të kenë parasysh se secili që i largon shiritat është vepër penale dhe do të ndiqen penalisht, të paktën neve na takon me inicau procedurën”, tha ai .
Duke folur se a do të jetë problem ndërhyrja e policisë në aktivitetin e jashtëligjshëm të kazinove në atë pjesë, për shkak se konsiderohet si zonë neutrale, Kastrati tha se institucionet nuk duhet të ndalen.
“Gjithsesi situata është me e komplikuar sepse është urdhëruar policia e Kosovës mos me hy rregullisht në atë pjesë, por në aksionin e para pak kohe u kuptua se policia hynë edhe në atë pjesë, por sidoqoftë neve si institucione shtetërore na takon me i marrë të gjitha veprimet për këdo që e shkel ligjin”, tha ai.