Sporti

Qëndrim Kida: Kam punuar shumë vite për të pasur këtë mundësi, jam i kënaqur me paraqitjet e ekipit

12/31/2023 16:43
nga:E K

Malisheva e ka mbyllur mjaft mirë gjysmën e sezonit të parë të Superligës së Kosovës duke u renditur në vendin e katërt pas liderit Ballkanit dhe ndjekësve, Llapit dhe Dritës.

Trajneri, Qëndrim Kida në një intervistë për GazetaBlic Sport ka komentuar ecurinë e skuadrës së tij duke u shprehur i kënaqur me punën e ekipit deri në këtë fazë.

“Po është e vërtetë që kemi pasur një stinor të mirë. Unë të them të drejtën, kam shijuar çdo minutë, si në stërvitje ashtu edhe në lojë. Është një kënaqësi e madhe kur me paraqitjet e mira të ekipit kemi bërë të lumtur qytetarët e qytetit të Malishevës, sepse sinqerisht ata janë një qytet i vogël, por shumë simpatik, të cilët meritojnë t’i gëzojmë me paraqitjet tona në fushë.

Jam shumë i kënaqur me kontigjentin e lojtarëve që kemi, edhe pse gjatë sezonit kemi pasur disa lëndime, ku numri i lojtarëve na është zvogëluar. Për këtë arsye, presim që të sjellim dy-tre lojtarë për të rritur konkurrencën në disa pozicione.

Synimet tona janë të vazhdojmë të fokusohemi në punë, të vazhdojmë me paraqitje të mira, dhe në fund të shohim në cilën pozicion do të përfundojmë.

Normalisht, në aspektin profesional, për mua është një ngritje e madhe. Mirëpo, për këtë unë kam punuar dhe sakrifikuar shumë vite, dhe kam qenë gjithmonë i përgatitur që, kur të me jepet mundësia, të jem i gatshëm të shfaq njohuritë e mia. Andaj, shpresoj që të shpaguaj klubin për besimin që më kanë dhënë”, tha Kida për GazetaBlic Sport.