Lajme

Qehaja: S’mund të japim konkludime të shpejta për ikjen e mësimdhënësve – ja cilat statistika duhet t’i prezantojë MASHT

03/11/2024 21:10
nga:G B

Braktisja e shkollave nga nxënësit dhe mësimdhënësit po shihet si një dukuri tejet shqetësuese.

Arsyet për këtë po vlerësohen të jenë të ndryshme.

Një fenomen tjetër shqetësues pos ikjes së nxënësve, është edhe ikja e madhe e mësimdhënësve.

Numër i madh i mësimdhënësve pas liberalizimit të vizave kanë marrë pushim pa pagesë, duke provuar ‘fatin’ në një nga vendet evropiane.

Për ekspertin e arsimit, Rinor Qehaja ende nuk dihen arsyet e sakta të ikjes së mësimdhënësve, prandaj shton ai, që nuk duhet të japim konkludime të shpejta.

“Ne nuk guxojmë të vijmë në konkludime se ka ikje të mësimdhënësve si rezultat i migrimit dhe atë të vijmë në këtë konkludim nga deklarata të Sindikatës. Këto përfundime mund të vijnë vetëm si evidencë statistikore dhe atë nga institucionet relevante, siç është ASK, apo edhe drejtoritë komunale të arsimit që të na tregojnë se sa është numri i mësimdhënësve që përfundimisht profesionin, ose që e kanë lënë vendin ose profesionin për të vazhduar një karrierë tjetër. Pra, ka shumë varibla që na përcaktojnë atë përfundimtaren, se kush është numri i mësimdhënësve që lënë profesionin e tyre dhe cilat janë arsyet, mirëpo në asnjërën nga këto nuk mund të vijmë në përfundim me kaq shpejtësi dhe të prezantojmë sikurse prezantohet tashmë”, thotë ai.

Drejtori i Institutit “EdGuard” vlerëson se ka shumë nxënës që lëvizin brenda Kosovës dhe MASHT duhet të prezantojë statistika se kush janë nxënësit që largohen dhe sa është numri i atyre që kthehen në shkollë.

“Trendet demografike jenë normale për numrin e nxënësve dhe këtë për shumë arsye, në mesin e të cilëve padyshim se është emigrimi i jashtëm por edhe migrimi i brendshëm, ka shumë nxënës që lëvizin brenda territorit të Kosovës, e që kjo nënkupton pastaj edhe rialokim të resurseve dhe në mënyrë proporcionale për secilin rajon. Mirëpo, përgjithësisht ajo që duhet ne të shohim si statistikë, është ato shifrat neto të lëvizjeve të nxënësve, kush janë ata nxënës që largohen nga shkolla dhe sa është numri i tyre që kthehen në shkollë. Këto statistika është e rëndësishme që të na prezantojë vetë institucioni i MASHT-it. Përgjithësisht trendët janë të parashikueshme por unë konsideroj se ASK në vazhdimësi prezanton në disa kuandrante trendët statistikore demografike të numrit të popullsisë të shpërndarë në grup mosha. Asgjë çka është pjesë e këtij debati për trendin e ikjes së nxënësve nuk është një befasi, ku i rishikojmë të njëjtat nga një këndvështrim prej projeksioneve statistikore”, potencon Qehaja për Gazeta Blic.

Ai shton se Kosova s’mund të ketë problem me mungesë të mësimdhënësve, pasi fatmirësisht ka numër të madh të mësimdhënësve që pos që janë të përgatitur, edhe profesionin e kanë zgjedhur me profesion.

Ai për emisionin “Expose” ka theksuar se sistemi arsimor dhe politikat arsimore duhet të adaptohen karshi nevojave.

“Fatmirësisht në Kosovë kemi numër jashtëzakonisht të mirë të mësimdhënësve të diplomuar që me pasion kanë përzgjedhur profesionin dhe janë të gatshëm për punësim dhe kjo shkon përtej atyre mësimdhënësve që janë në tregun e punës, e kjo shkon përtej atyre që veç janë në tregun e punës. Në secilin rast kemi një tren në ulje të interesuarve për profesionin e mësimdhënies, regjistrimet në fakultetet e edukimit janë në rënie në krahasim me vitet paraprake dhe ky është ai shqetësimi që duhet të vije. Aktualisht nuk bën problem por mund të ketë problem në të ardhmen nëse vazhdon kështu ky trend dhe numri në rritje i atyre që largohen nga Kosova”, thekson ai.

Sipas tij, askush nuk është peng i askujt dhe sistemi adaptohet e nuk duhet pasur shqetësime.

“Në secilin rast, sistemi adaptohet, pra askush brenda këtij sistemi arsimor nuk është peng i askujt, i asnjë individi apo grupi të individëve, pra e mira është që komuniteti i shkollave do të jetë në shërbim të nxënësve dhe atë në forma të ndryshme, qoftë me mësimdhënës aktual, qoftë me të rinj të kualifikuar, pra sistemi arsimor dhe politikat janë ato që adaptohen karshi nevojave. Pra, nuk është diçka që kërkon shqetësim për askënd, por është diçka që kërkon vëmendje institucionale, që të garantojë që profesioni i mësimdhënies është profesion i dinjitetshëm, ka pagë dhe shpërblim të dinjitetshëm dhe më e rëndësishmja është atraktiv për t’u përzgjedhur si karrierë”, deklaron Rinor Qehaja./Gazeta Blic/

 

Braktisja e shkollave/ Deputeti i PDK-së: Fajtore politika kaotike në arsim nga ministrja Nagavci