Lajme

Qalaj paralajmëron ndryshime tjera në Policinë e Kosovës

09/14/2018 08:20
nga:Gazeta Blic

Shkarkimi i drejtorit të Departamentit për Hetimin e Korrupsionit në Policinë e Kosovës, Shemsi Igrishta, dhe vendosja e tij si kapiten në Mitrovicë nuk është ndryshimi i vetëm që i pari i Policisë, Rashit Qalaj, ka bërë pas ardhjes së tij në këtë pozitë. Ai për “Zërin” ka treguar edhe ndryshimet tjera që janë bërë në disa drejtori, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ardhja e drejtorit të ri në krye të Policisë së Kosovës ka sjellë shumë ndryshime në strukturën policore. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka paralajmëruar ndryshime në të gjitha drejtoritë rajonale të Policisë.

I pari i Policisë në një prononcim për gazetën “Zëri” ka konfirmuar lajmin për shkarkimin e drejtorit të Departamentit për Hetimin e Korrupsionit në Policinë e Kosovës, Shemsi Igrishta, dhe për vendosjen e tij si kapiten në Mitrovicë.

Mirëpo, Qalaj ka thënë se ky nuk është ndryshimi i vetëm që është bërë në strukturën policore.

Ndryshimet në Policinë e Kosovës, sipas tij, kanë përfshirë edhe shumë drejtori tjera.