Lajme

Pyetja shekspiriane: T’i lirojmë apo mos t’i lirojmë?

05/15/2020 18:33
nga:Lul Raka

Shkruan: Prof. Lul Raka

PYETJA SHEKSPIRIANE: T’I LIROJMË APO MOS T’I LIROJMË?

Të gjitha veprimet e ndërmarra për adresimin e sfidës së COVID-19 duhet të bazohen në shkencë dhe të kenë shëndetin publik si kryefjalë. Megjithatë, përkthimi efektiv i shkencës në një veprim operacional dhe politik është sfidë e konsiderueshme. Te pandemitë, përafrimi i pikëpamjeve të shkencëtarëve dhe politikanëve mund të jetë i vështirë. Shkencëtarët shpesh përqendrohen në problemet parashikuese që janë të një shkalle shumë të gjerë dhe ndikojnë në vlerësimin e impaktit dhe priorizimin e përgjigjeve. Kjo qasje mund t’i lërë politikanët pa përgjigje të qarta për vendimet që duhet të merren shpejt. Secili vendim që marrin ata bart me vete dobi, por edhe implikime të sferave të ndryshme.

Masat kufizuese gjatë valës së parë goditëse të virusit kanë qenë të nevojshme dhe të domosdoshme për të ngadalësuar përhapjen e virusit që mos t’i tejkalojë kapacitetet shëndetësore të secilit shtet. Në 11 shtete të BE, vetëm deri më 31 Mars, këto masa kanë shpëtuar 59.000 jetë njerëzish. Në Kosovë nuk e dijmë numrin e saktë, por këto masa kanë shpëtuar jetëra të qytetarëve të Kosovës. Por, këto masa shoqërohen me një kosto të lartë socio-ekonomike, prekin rëndë shëndetin mendor dhe ndryshojnë rrënjësisht përditshmërinë e njerëzve. Rruga e kthimit në normalitet do të jetë e gjatë. Kjo sfidë është maratonë, jo sprint. Por, masat e izolimit nuk mund të zgjasin pafundësisht.

Çdo nivel i relaksimit gradual të masave restriktive, në mënyrë të pashmangshme do të çojë në një rritje përkatëse të rasteve të reja të infeksionit dhe nuk ka asnjë mënyrë që këtë ta ndalim plotësisht. Ne do të duhet të bashkëjetojmë me virusin derisa të gjendet një vaksinë ose trajtim adekuat. Komunikimi i qartë, me kohë dhe transparenca me qytetarët është thelbësore në këtë drejtim.

Nuk ka qasje “one size fits all” në lehtësimin e masave. Vendimi duhet të merret në bazë të situatës individuale të Kosovës, nivelet e rrezikut dhe vlerësimin e resurseve.

Një prej elementeve qenësore të qasjes është strategjia e komunikimit të rrezikut, për t’ia sqaruar publikut kalimin nga faza “Rri n’shpi” në atë “Mbaje distancën”. Popullata duhet të informohet për rreziqet e lirimit të masave dhe përgjegjësitë që kanë në parandalimin e infeksionit.

Komunikimi para dhe gjatë periudhës së rihapjes duhet të jetë transparent për faktorët që kanë ndikuar në vendimmarje, procesin e vendimmarrjes dhe palët e interesuara që ishin pjesë e vendimmarrjes. Drejtuesit duhet ta pranojnë elementin e pasigurisë kudo që ekziston dhe të tregojnë se çfarë masash po merren për ta ulur atë pasiguri. Po ashtu, duhet të sigurohet se çdo qytetar, biznes dhe anëtar tjetër i komunitetit e din saktësisht se çka do të bëjë për ta mbrojtur veten nga COVID-19.

Kalimi prej fazës së parë të lehtësimit në të dytën duhet të merr në konsideratë këto kritere:

1. Kriteret epidemiologjike, që tregojnë se përhapja e sëmundjes është zvogëluar dhe stabilizuar në mënyrë të konsiderueshme për një periudhë të qëndrueshme kohore.

2. Kapaciteti i mjaftueshëm i sistemit shëndetësor për tu përballur me rastet e reja. (numri i mjaftueshëm i shtretërve spitalorë përfshirë ata të kujdesit intensiv, sigurimi i barnave dhe pajisjeve shëndetësore, qasja në kujdesin shëndetësor (sidomos për grupe të cenueshme), funksionaliteti i shërbimeve në kujdesin parësor shëndetësor, si dhe personel i mjaftueshëm për t’u kujdesur për pacientët e lëshuar nga spitalet për trajtim shtëpiak, rezerva të mjaftueshem për periudhën në fjale të pajisjeve personale mbrojtëse.

-Përkundër rritjes së rasteve gjatë javës së fundit, numri i rasteve të reja është i menaxhueshëm nga institucionet shëndetësore . Nga 226 raste aktive me COVID-19 vetëm 12 ishin të shtrirë dje në Klinikën Infektive (5.3%).

-80% e rasteve kanë pasqyrë të lehtë klinike, kurse disa familjarë të kontaktit kanë qenë asimptomatikë. Të gjithë këta pacientë mund të trajtohen në mjekimin shtëpiak dhe nuk i mbingarkojnë kapacitetet klinike.

-Numri i rasteve që kërkojnë kujdes intensiv nuk ka rrezikuar asnjëherë kapacitetet me respiratorë

3. Kapaciteti i duhur për monitorim, përfshirë kapacitetin e testimit në shkallë të gjerë për të zbuluar dhe monitoruar përhapjen e virusit , gjurmimin e kontaktit dhe mundësitë për të izoluar personat pozitivë me COVID-19.

-Aktualisht ka kapacitete të mjaftueshme për testimin molekular në fazën pasuese në Laboratorin e Mikrobiologjisë të IKSHPK

-Aktualisht ka kapacitete për gjurmimin e kontakteve nga IKSHPK

– Mbikqyrja e numrit të infeksioneve të rënda akute respiratore që janë pozitivë në SARS-CoV-2 në të gjitha repartet e spitalit dhe ato intensive

4.Në vendet e posahapura të punës ka masa parandaluese (distancë, maska, mbulesa të fytyrës, dezinfektim sipërfaqesh) – këtë mund ta zbatojnë bizneset dhe ta mbikqyrin autoritetet

5.Rreziku i importimit të infeksioneve është i menaxhueshëm- Ka kapacitete të mjaftueshme të karantinimit në konvikt

6.Popullata është e përfshirë në zbatimin e normave të reja të sjelljes.

Dy kërcënimet më të mëdha në këtë sfond mund të jenë : mosrespektimi i këshillave për parandalim të infeksionit nga qytetari i Kosovës dhe grumbullimi masiv i njerëzve që krijon pamundësi për zbatimin efikas të masave parandalauese .

Masat parandaluese vazhdojnë:
• Mbani distancën!
• Përdorni maska ose mburoja të fytyrës (sidomos në vende të mbingarkuara me njerëz- autobus, tren, shitore, qendra tregtare)!
• Mbani higjienën e duarve dhe atë respiratore!

MBROJE VETEN DHE FAMILJEN!