Opinion

Puna edukuese dhe arsimore nuk po ecën hapave të shëndosha

04/29/2020 19:12
nga:Gani Rudaj

Shkruan: Prof. Gani Rudaj

Në këto njëzetë viteve të fundit është duke u dhënë fare pak rëndësi kuadrove të reja. Mësimdhënësve u mungon orientimi i mirë i mësimdhënies. Në radhë të parë ne duhet të jemi të armatosur në mënyrë shembullore me dijet që i kemi marrë gjatë viteve të studimit. Ato dije duhet t’ua japim nxënësve tanë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Problemin që kuadrot tona nuk janë në lartësinë e duhur arsimore, duhet ta kërkojmë në vetë punën tonë. Nuk mund të themi se nxënësit dhe studentët tanë nuk kanë dashur të mësojnë e të studiojnë, por problemi është se ne si mësimdhënës nuk po e kryejmë punën tonë në mënyrë profesionale.

Para njëzetë viteve nuk kemi pasur tekste të mjaftueshme. Biblioteka ka qenë e mbyllur për nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë, ishte koha që i vinte era luftë. Por, sot gjërat kanë ndryshuar shumë për të mirë. Sot kemi tekste të mjaftueshme. Biblioteka publike është e hapur. Fëmijët dhe studentët mund të pajisen me literaturën e nevojshme. Të gjitha rrugët që dikur ishin të mbyllura për nxënësit dhe mësuesit tanë, tani janë të hapura. Tani problemi është te mësimdhënësit. Ata vetëm duhet t’i udhëzojnë nxënësit dhe studentët se çfarë duhet të lexohet.

Nuk duhet të harrojmë se ato libra që ua rekomandojmë nxënësve dhe studentëve për t’i lexuar, në radhë të parë duhet t’i kemi lexuar vetë ne. Mosleximi i veprave nga vetë ne reflekton negativisht në nivelin e shkallës së arsimit që është jo i kënaqshëm. Për këto njëzetë vite të fundit janë një numër i konsiderueshëm i atyre që kanë studiuar diçka dhe ç’ është më e keqja e quajnë veten si shumë të ditur. Të gjithë kanë diploma universitare. Të gjithë këta të këtij kalibri kanë harruar se shkenca nuk është statike, ajo është gjithmonë në lëvizje. Detyra e secilit prej nesh është vetëm ta përcjellim hap pas hapi. Kur ta bëjmë këtë gjë, ne vetëm do t’i përforcojmë njohuritë tona dhe së bashku me to shkojmë më përpara. Këtë detyrë duhet ta marrim seriozisht sepse në asnjë çast nuk duhet të harrojmë se kemi të bëjmë me rininë tonë që është pjesa më vitale e shtetit.

Te punëtorët e krahut, koha për të lexuar diçka është e kufizuar sepse janë të lodhur, ndërsa te njerëzit intelektualë kjo gjë është e mundur edhe prej natyrës së punës së tyre.

Mësuesi nuk duhet të lexojë veprat, por ato duhet të studiohen e të analizohen. Me anë të studimit të tyre, ne bëhemi të pathyeshëm përballë nxënësve dhe studentëve. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë se nxënësit janë fletë e bardhë ku mësimdhënësit duhet të shkruajnë shkronja të arta. Detyra e mësuesit është e shenjtë. Ai duhet të shkrijë jetën e vet me të vetmin qëllim për të edukuar brezin e ri që është shpresa e atdheut. Para njëzetë viteve mësimdhënësi në dorë mbante Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe dhe konsultohej me të. Me këtë veprim, ky mësimdhënës dëshironte të dilte i kompletuar në aspektin profesional para nxënësve e studentëve.

Sot ky veprim nuk praktikohet. Sot të gjithë mendojnë se e dinë drejtshkrimin. Lënda e edukatës fizike që është një lëndë shumë e nevojshme për rininë tonë sepse ka të bëjë me zhvillimin trupor të njeriut, kjo lëndë nuk zhvillohet siç duhet. Për këtë lëndë nuk mjafton që të kemi vetëm topin për të luajtur. Kjo lëndë ka edhe anën teorike të saj që është e lidhur me mjekësinë. Anën teorike nuk e bëjnë gjë që është gabim. Në të gjitha lëndët duhet të tregohet seriozitet dhe kujdes i veçantë. Nga mospuna jonë po shihet se nuk kemi grupe muzikale e teatrale.

Nga ana e nxënësve nuk mbahen orë letrare. Teatri është i mbyllur nuk ka pjesë teatrale nga ana e nxënësve. Nxënës kemi, por mjerisht nuk po punohet me ta. Kjo është një dukuri negative e shoqërisë dhe për fat të keq organet kompetente nuk po merren me këtë problem shoqëror. Për fat të keq nga shkollat tona po dalin të rinjtë dhe të rejat me diploma universitare, por me titull analfabet. Me një vullnet të mirë dhe të shoqëruar me seriozitet maksimal, mund të zhvillojmë ngritjen e arsimit në stadin më të lartë.