Lajme

Pse po rriten çmimet e biletave kur nafta nuk lëviz?

08/21/2025 18:36
nga:N K

Ngritja e çmimit të biletave në relacionin Prishtinë- Gjilan në 3 euro prej 2.50 sa ka qenë ose 2 euro për studentë ngriti reagime nga qytetarët dhe studentët.

Të njëjtit u shprehën se pse ‘duhet të ketë ngritje të çmimit, kur çmimi i naftës mbetet i  njëjtë’.

Në lidhje më këtë çështje ka folur, Driton Kastrati, nga kompania e udhëtimeve Mimoza93 e cila operon çdo ditë në këtë relacion.

Ata për GazetaBlic  thanë se rritja e çmimeve të biletave është një vendim i domosdoshëm për të garantuar shërbime më të mira, paga më të larta për punonjësit si dhe kostoja e mirëmbajtjes së autobusëve është rritur ndjeshëm.

“Rritja e lehtë e çmimeve të biletave të transportit publik vjen si pasojë e disa faktorëve të domosdoshëm për funksionimin dhe përmirësimin e shërbimit. Së pari, kostoja e mirëmbajtjes së mjeteve dhe infrastrukturës është rritur ndjeshëm, duke përfshirë karburantin, pjesët këmbimore dhe shërbimet teknike. Së dyti, rritja e pagave për punonjësit e transportit është e domosdoshme për të siguruar kushte më të mira pune dhe për të garantuar cilësi më të lartë shërbimi”- deklaroi ai për GazetaBlic.

Sipas tij është e pashmangshme kjo rritje e çmimeve, kur çdo sektor tjetër ka pësuar rritje disa herë.

“Megjithatë, është e vërtetë që transporti publik ka mbetur për vite të tëra me çmime shumë të ulëta krahasuar me shpenzimet reale të mirëmbajtjes. Kjo ka bërë që kompanitë ose bashkitë të përballen me vështirësi financiare dhe të mos kenë mundësi për investime të mëdha. Rritja e lehtë e çmimeve është pothuajse e pashmangshme, sidomos kur çdo sektor tjetër ka pësuar rritje disa herë”, tha ai për GazetaBlic.

Kastrati nga kjo kompani u shpreh se kjo rritje është e moderuar dhe e menduar që të mos rëndojë ndjeshëm qytetarët, por në të njëjtën kohë të mundësojë ofrimin e kushteve më komode dhe që transporti publik të mbetet i sigurtë dhe i përballueshëm dhe ndikon drejtëpërdrejtë në cilësinë e jetës urbane.

/Gazeta Blic/