Opinion

Pse po fshehet Kryeministri Kurti!

03/15/2020 14:29
nga:Melihate Termkolli

Shkruan: Melihate Termkolli

Nuk e kam të qartë pse Kryeministri Kurti po ikë nga përgjegjësitë lidhur me bisedimet me Serbinë. Duhet ta heqë taksën dhe të marrë përgjegjësitë që i takojnë si kryeministër dhe përgjegjësitë e qeverisë në tërësi.

Nuk i takon të fshehet pas “mosmarrëveshjeve” me presidentin dhe me asnjërin. As pas Covid.19, përkundër krejt vështirësive që po prodhon kjo pandemi.

Në veçanti, nuk i takon të fshehet pas partnerit të koalicionit, LDK-së e aq më pak ta akuzojë për mos heqje të taksës. E akuzon LDK-në ndërsa heqjen e pjesërishme të taksës e ka deklaruar në një konferencë për shtyp me disa biznesmenë!. Asnjëherë nuk e ka vënë për votim në qeveri.

Kë po përpiqet ta mashtrojë kryeministri ?! Z. Kryeministër, dil nga lëvozhga e hipokrizisë, e frikës, e konspiracioneve, e demagogjisë! Të gjithë ata që të kanë menduar për të ditur e trim po e shohin që nuk je i tillë.

Nuk lejojmë askënd të na cënojë raportet me aleatët tanë historikë, me SHBA-të dhe gjithsesi me vendet tona mike të BE-së, Gjermania, Britania e Madhe etj.

LDK, në këtë rast duhet të shkojë përtej deklaratave, të marrë një vendim, për të mos u bërë bashkëpërgjegjëse e një politike që nuk është e saj.

Është marrëzi të mos kuptohet se sot, në emër të SHBA vendosë Presidenti Trump, ndërsa në emër të SHBA dhe Presidentit Trump, emisar i posaçëm për bisedimet me Serbinë është z. Grenell.

Për ne (dhe për të gjithë) këta janë Amerika. Ҫdo përceptim dhe interpretim tjetër është papërgjegjësi e madhe, është marrëzi.
Me LDK-në, VV-ja mund të jetë në koalicion veç duke ruajtur e forcuar marrëdhëniet me SHBA-të dhe BE-në.

Boll janë cënuar e degraduar këto raporte. Qytetarët, ne, të gjithë jemi të interesuar për forcimin e këtyre raporteve, rrjedhimisht edhe për forcimin e kësaj qeverie. Kryeministër, është koha të veprosh, menjëherë, për të mirën e vendit. Ndryshe, dëmtohet Kosova!

Sigurisht që si kryeministër dhe qeveria në tërësi, do ta keni përkrahjen e madhe të qytetarëve për çdo marrëveshje në interes të Kosovës.