Opinion

Pse duhet ndjekë PSD shembullin e Nismës?!

05/13/2018 16:45
nga:Petrit Musolli

Politikat, praktikat, orientimet, besimet… munden mos me shërbye për shembuj, për asnjana-tjetrën, pamvarësisht thirrjes, në të njajtin koncept e ide politike. Megjithatë, PSD i ka hye nji procesi, që Nisma e ka tejkalue dhe, mendoj, kanë shumë me mësue!

Dallimi esencial, karahasue me historitë e ngjashme të ndamjeve, që i ka tregue nji sukses të caktuem, e sidomos të papritun Nismës, ka qenë pikërisht ndjekja e shembullit ma të sugjeruem në rastet e divorceve. ‘The moved on’!

Bazue nga përvojat mahershme të ndamjeve të ngjashme, grupet e caktueme që kanë braktis trungun e tyne politik, në njifarë forme, gjithnji e kanë pas të vështirë me u shkëput tanësisht dhe, për pasojë, dalngadalë janë konsumue nga subjekti që i kanë takue. Asht i njajti sindrom i mungesës së aftësisë së pamavrësisë, që duket don me e përcjellë edhe partinë e re.

Asht edhe sindromi i arrogancës që lind nga nji kakulim joreal, i mbështetun në ndjenjën e nji ndamje të barabart, gjykue mbi, nëse mund të thuhet, faktorë fizik të momentit dhe jo nji analizimi të zhvillimit/zvillimeve që pasojnë.

Të mashtruem kësisoj, kanë përfundue, thuejse, tana ato grupe, të cilat kanë përfitue, përafërsisht, të njajtën fuqi politike në periudhën e ndamjes, që, zakonisht, s’ish dasht shërbye si matje e nji disponimi të përgjithshëm politik e elektoral.

Këto grupe të shkëputuna nga trungu i tyne politik, e të cilat kanë mëtue se kanë trashëgue gjysmën e tij, kanë pësue fatalitetet politike që i njohim. Krijimi i kësaj ideje të gabueme, që pastaj prodhon arrogacën e vetëbesimit, të bazuem në faktorë joreal të matshëm, i ka mbajt peng të mvarësisë së ndërveprimit të tyne politik me e përreth trungut që i kanë takue, tue shpërfaq paaftësinë me u shkëput e mbjell nji për vete!

Nisma, në anën tjetër, ka veprue ndryshe. Si duket, ajo e ka kuptue përçimin e idesë së krijimit të nji hapësine për nji alternativë të re dhe jo të asaj së nji fushëbeteje të hapun, mes sojit! Sepse, këshillue përvojat e grupeve tjera me histori të ngjashme, zakonisht kanë përfundue të mundun e konsumuem plotësisht.

Mos me harrue se Nisma ka qenë nji grusht njerëzish të larguem nga nji ‘gjigand’ politik, për dallim të rasteve me grupet tjera, të cilat kanë përfitue gati gjysmën e subjektit. E, megjithatë, për dallim nga këto raste, Nisma përballoi tri palë zgjedhje dhe arriti me u konsolidue dhe krijue komoditetin me u zgjanue tash e tej.

Njisoj ndoshta, PSD, s’duhet mashtrue me u kurthue në konfrontimin për ‘pronësinë’. Ka me u tërheqë gjithmonë, e shtyp, nga graviteti i ‘trupit amë’. Ndoshta asht ligj i natyrës sonë politike!? Ndoshta, për faktin e thjeshtë, të bërthamës gravitacionale që ruen subjekti bazë!

Nji rast ideal, ndoshta, i këtij grupi, të quejtun GDP atëherë, me e ba hapin e kapërcimit në nji terren të ri e synuem politik, që sot kish me e identifikue, ka qenë seanca e votimit të Demarkacionit. Mospërdorimi, atë ditë, i dhunës fizike n’Parlament nga ky grup, s’përban alternativë politike, as ndonji dëshmi maturimi, përpos, ndoshta, nji shenj pendimi për atë çfarë kanë përfaqësue, dhunën!

GDP, atë ditë, pati rastin jetik politik me tregue çka reprezenton (të re), jo çka nuk reprezenton ma. Dobësimi i efektit të dhunës politike në atë seancë mundet me u vështrue si ‘humanizëm politik’ mbrenda kontekstit të asaj dite, por jo si nji zhvendosje orbitale nga ‘subjekti amë’!

Duhet lirue njiherë prej traumave që kanë mund me ju shkaktue anëtarët e aktivistat e partisë që e keni divorcue. Për me e kuptue sa minore asht ai sulm ndaj jush, kthehuni te shembulli i Nismës!

Nismës i asht dasht luftue si Davidi! Përballja e saj s’ka qenë me nji grup aktivistash fanatik. Por, me nji strukturë të tanë të konsolidume e instalume në secilën pore të shoqnisë! Me nji ndërmarrje të tanë, që prej pasluftës, ka udhëheq gjithçka formale e joformale, me nji sistem shërbimi informativ e kontrolli gati absolut!

Ky mendim, besoj, s’duhet kuptue, ose keqkuptue, si nji preferencë politike apo ‘ide’ për pajtim politikash, konceptesh politike apo veprimeve politike, por, thjesht, si nji shembull mes shembujve të divorceve të mbrendshme politike.