Opinion

Pse duhet mbajtun zgjedhjet sa ma parë?!

04/08/2018 16:37
nga:Petrit Musolli

Qeveria, besoj, duhet kuptue si nji organizim i caktuem politik rreth nji ideje të përbashkët, për avancimin shoqnor mbrenda nji vizioni, të pajtuem nga shumica qytetare. Çdo çrregullim/çakordim përmbrenda këtij organizimi, i konceptuem me funksionue si nji tanësi, në vetvete, deformon kuptimin e ekzistencës së tij, për ma shumë – kur s’përfaqëson vullnetin e shumicës.

Qeveritë e pakicës gjejnë vështirësi me funksionue, madje, edhe në vendet ku sistemi publik funksionon i pamvarun nga politika. Si e ka konfirmue edhe ambasadorja gjermane (Angelika Viets), efikasiteti i shërbimeve publike në Kosovë asht i ndërlidhun ngushtë me atë të Qeverisë. Kësisoj, çdo destabilitet qeverisës, ndikon drejtpërdrejtë edhe në punën normale të të gjithë sistemit publik në Kosovë.

Nisun nga ky fakt, Kosova s’e gëzon komoditetin me u ndje rehat në këte situatë politike të krijueme, prandaj, çdo arsyetim për mosmbajtje të zgjedhje të reja e sa ma parë, asht thjesht veç nji kalkulim për interesa partiake e tue rrezikue funksionimin e qëndrueshëm të shtetit – në të dyja rrafshet, në atë politik dhe të shërbimit publik! Tana tentim argumentimet tjera, qofshin ato të mbështetuna në patriotizmin nacionalist (Gjuriq, Erdogan) janë thjesht demagogji dhe s’përbajnë asnji relevancë.

Mungesa e nji Qeverie përfaqësuese, përballë nji Parlamenti pasiv e përkrah nji Presidenti jounifikues, me nji sistem publik nën kontrollin politik, s’mund të kuptohet ndryshe pos si nji ndër krizat ma të mëdha politike e shoqnore që përjeton nji vend! Çdo interpretim tjetër asht i rremë! Çdo mbështetje që i jepet kësaj situate të krijueme asht tradhëti ndaj besimit qytetarë dhe vlerave demokratike!

Subjektet politike duhet ulë e pajtue nji datë për zgjedhjet e parakohshme dhe, ndërkohë, të gjendet nji model qeverisës ose të ndihmohet funksionimi normal i kësaj Qeverie gjatë periudhës parazgjedhore.

Dalja nga kjo krizë dhe mostoleranca ndaj këtij standardi qeverisës duhet qenë parimi udhëheqës për tana subjektet e thirruna në respektimin e të drejtës qytetare për me participue e përfaqësue nëpërmjet këtyne institucioneve!

Në të kundërtën, injorimi i këtij parimi, ka me na thellue atje ku janë zhyt tana shoqnitë me sisteme autoritare! Ku hyet lehtë, e dilet zor!

Prandaj, zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme – sa ma parë, s’duhet diskutue, përveç garantimit të nji procesi të drejtë e të pajtuem nga tana subjektet politike!

04/28/2018 19:16

Konsensusi për konfuzitet!