Lajme

PSD përmend shfuqizimin e Speciales, akuzon Albin Kurtin se po i gëzohet eliminimit të rivalëve politikë

06/29/2020 13:00
nga:A. R.

Partia Socialdemokrate që udhëhiqet nga Dardan Molliqaj përmes një komunikate kanë folur për Gjykatën Speciale, derisa, deklarojnë se e njëjta e ka dëmtuar rëndë Kosovën.

Nga PSD’ja thonë se në dialogu me Serbinë nuk mund të shkojnë frikacakët, sepse veprimi i tyre i vetëm është ikja.

“Kosova gjendet në fazën e përmbylljes së subjektivitetit të vet ndërkombëtar. Një marrëveshje përfundimtare me Serbinë ka kohë që flitet. Gjykata Speciale, e imponuar padrejtësisht dhe e votuar gabimisht 5 vite më parë tash ka nisur të veprojë. Gjykata Speciale tashmë ka dëmtuar rëndë Kosovën. Ajo e ka devijuar dhe po e devijon përballë opinionit ndërkombëtar të vërtetën e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Më tepër se kaq, ajo po bëhet mekanizëm i ndërhyrjes politike në dialogun Kosovë-Serbi. Pikërisht në vigjilje të këtij momenti ka nisur një sulm mbi mbarë strukturat udhëheqëse të UÇK-së. Kur prej procesit pritet jo më pak sesa ulësja në OKB dhe kësisoji përmbyllja e subjektivitet ndërkombëtar, ku goditet është themeli autentik i këtij projekti”, thonë në partinë e Molliqajt, duke deklaruar se kjo gjykatë është kundër parimeve themelore të drejtësisë.

“Ajo është diskriminuese sepse është një-etnike. Duke qenë kështu, efekti i saj s’mund të jetë vendosja e drejtësisë, por inkriminimi. Kjo Gjykatë e ndan mespërmes sistemin tonë gjyqësor. Kështu ajo cënon edhe përpjekjet shtetndërtuese. Sigurisht, secila shkelje e ligjeve të luftës duhet dënuar, pavarësisht në cilën anë është viktima. Por, ne e quajmë humanizëm cinik këtë pozicion që i trajton viktimat të shkëputur nga kushtet e rrethanat që prodhuan luftën. Pushtimi, segregimi e shfrytëzimi nga Serbia është shkaku i luftës. Prandaj, vetëm në dritën e barazisë politike, viktimat do të prehen të qetë e popujt do të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin”, thuhet në komunikatë.

“Gjykata Speciale është votuar në vitin 2015. Kushdo që e ka votuar atëherë ka dëmtuar rëndë interesin e Kosovës. Por, nuk janë më pak të dëmshëm ata që teksa fërkojnë duart, fshehen pas atij votimi duke iu gëzuar eliminimit të rivalëve politik sot. Nese kemi aq shumë pajtim mbi dëmin që shkakton kjo Gjykatë, s’ka asnjë arsye pse të mos i mbledhim forcat për ta shfuqizuar këtë trup të huaj. Kosova vet duhet të vendosë drejtësi. Për të gjithë dhe secilin”, shkruhet në reagim.

Gjykata Speciale – domethënia dhe pasojatShoqërisë sonë i takon shteti sepse ne e duam lirinë. Kaq e thjeshtë është…

Publiée par PSD sur Lundi 29 juin 2020