Lajme

PSD kërkon që në dialogun me Serbinë të përfshihet edhe shoqëria civile

12/07/2018 16:38
nga:Q F

Kryetari dhe nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti dhe Dukagjin Gorani janë takuar sot me publicistin Veton Surroi dhe drejtorin ekzekutiv të Fondacionit për Shoqëri të Hapur (KFOS) Luan Shllaku.

Gjatë takimit u konstatua domosdoshmëria që Kuvendi të ketë rol qendror në procesin e dialogut me Serbinë.

Duke e shpjeguar projekt-rezolutën e paraqitur nga PSD-Nisma-Alternativa, përfaqësuesit e PSD-së vlerësuan nevojën e përfshirjes së shoqërisë civile në procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

“Rezoluta dhe ligji për dialogun mundësojnë përfaqësim gjithëpërfshirës, vendimmarje konsensuale dhe platformë shtetërore, në përputhje me interesin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës”, thuhet në një komunikatë nga PSD.

Partia Socialdemokrate vlerësoi iniciativën e Veton Surroit dhe Luan Shllakut, për të kontribuar pozitivisht në procesin e dialogut me Serbinë, me mbështetje në ekspertizë strategjike, duke mundësuar resurse nga një spektër i gjerë lokal dhe ndërkombëtar, drejt arritjes së marrëveshjes eventuale për njohje reciproke me Kosovën.