Opinion

Proza fatwike e populistit

05/13/2019 10:19
nga:Xhemal Ahmeti

Ose: anatomia e psikës së populistit si atraktor turmash. Populisti operon thjeshtë: sugjeron veten si viktimë të një komploti, në të cilin gjendet edhe populli i shenjtë, të cilit falë Zotit i përket. Vetëm një kusht e ka: Do bëhej pjesë e tyre, turmës, vetëm nëse mblidhen aq sa të bënin nja 5% rreth tij. Ndryshe jo.

Substanca dhe promotori i çdo pluraliteti është ekzistenca e mendimit ndryshe. Paaftësia për të respektuar këtë është nëna e çdo monizmi dhe diktature – si sistem politik apo mendësi, s’ka rëndësi. Vetëm injorimi i mendimit ndryshe, si akt, mirëpo për fat nuk është as sa një guraleci i themelit të ndonjë diktature në ardhje e sipër. Përmasa, efekti, pasojat e këtij mosdurimi të mendimit ndryshe varen edhe nga statusi i adresuesit, operuesit, tellallit të së „vërtetës“ që „kërkojnë“ koha, vendi dhe odat plotë kryepleq që përjashta i presin tufat e bëra gati për kullotje: nëse ai, tribunus plebisi, është vetë pushteti (i ndonjë diktature) i ha kokën individit që guxoi të mendojë e të flasë ndryshe; nëse luftëtari kundër opinioneve anti-mainstream është individi, atëherë varet se cili është radiusi i ndikimit të tij brenda biznesit të atraktimit dhe zbavitjes së masave me përralla e iluzione aq të bukura si ato të Lukianit që as postmoderna nuk ia doli t’i dekodojë mjaftueshëm. Ngase, siç thotë Peter Sloterdijk kur shkruan për populizmin: „fisnikëria ndanë, derrëria bashkon“! Derrçe sillen ata që lypin me çdo kusht Tribunën. Motivet e kësaj kategorie mund të jenë të gjithfarshme – psiqike, komerciale, (i)racionale – por asnjëherë në favor të kërkimit të ndonjë të vërtete. Shkrimtari polak Władysław Reymont e dinte se nuk ishte ky fondamenti i akëcilit tribun – që sot e quajmë më kuptueshëm si populist – kërkimi i ndonjë të vërtetë pra, por mohimi i ndonjë „të vërtete“ në qarkullim, pra mendimit, besimit, veprimit të atij Tjetrit që mori guximin të besojë se ka lirinë për ta thënë versionin e vetë të së vërtetës mbi diçka.

II.
Në shoqëritë si shqiptaret „profesioni“ i tribunus plebisit, të formatit të romakut Cola di Renzo është më i suksesshmi. Përveç luleve e likeve që i fluturojnë fytyrës nga ithtarët e kopesë, tek shqiptarët (ashtu siç tek shumica e shoqërive tjera me arsimim për ta vajtuar) e ka edhe një bonus plus: shpallet intelektual! Domethënë nuk krahasohet me Colan e Romës apo me kolegët e tij, nisur nga e majta si Evo Morales, Fernando Lugo, Hugo Chavéz e duke përfunduar në të djathtë si primatët e Lega Nord, Partij voor de Vrijheid, AfD, Front National, Vlaams Belang e të llojit, por e radhisin krah Zola-s, Sartre-it, Nerudës ose Mario Vargas Llosa-s. Punë bulevardi patjetër, siç është titulli i librit në gjermanishte (Alles Bulevard = La civilización del espectáculo ) i intelektualit që numëruam të fundit në rreshtin paraprak. De facto, kur analizojmë fjalimet, ligjërimet e shkrimet e tribunit brenda llojit zbulojmë arsenalin defensiv të një uni të frustruar. Edhe më keq aq kristaltë lexohet kur tribuni ligjërimin e radhës, më qartë se herët tjera, e ka ndërtuar mbi këto shtylla që i mëson çdo gjimnazist në shkollë (sidomos në perëndimoret). E mbi ç’shtyllash ndërtohet rëndom teksti një populisti:

1. Në mbrojtje të popullit të përvuajtur, i cili përdhunohet nga intrigat e elitave, pushtetit, ose një elite të caktuar.
2. Duke u apeluar elitave që të respektojnë vullnetin e shenjtë dhe idealet e popullit (ose të quajturës common sense).
3. Difamon dhe denoncon gjithë ata që bëjnë komplote për ta sabotuar vullnetin e popullit.
4. Moralizon diskursin duke folur në emër të vullnetit të popullit pa dhënë faktet se pse, kur dhe si bënë apo folën elitat që i sulmon dhe si kur, me çka dhe ku shpalli vullnetin populli.
5. Çon gishtin përpjetë duke mallkuar e kërcënuar ata që janë në udhë e sipër ta përmbysin moralin, kombin, atdheun.
6. Sakralizon përherë „ne“-në në disfavor të „atij“, „atyre“, shenjtëron popullin në emër të Tokës dhe Perëndive.

Lexuesi do të ngutet për të pyetur se për cilin vullnet të shenjtë të popullit flet tribuni i radhës, për cilat elita, për cilin mendim konkret. Nuk e di as autori se për çka e ka tribuni. Se me kë e ka ndoshta e di: me gjithë ata që s’mendojnë si ai. Çka autori poashtu di është se prej ku huazoi ky katalogun lartë dhe çka donë të thotë ai. Lista e numëruar më lartë janë kushtet e historianes dhe politologes famoze Karin Priester (1941) që duhet t’i plotësojë dikush për ta fituar diplomën e pakontestueshme të populistit.

III.
Populist nuk është ai që me fakte plason mendimin, veprimin konkret të tjetrit, tjerëve. Tribun nuk donë të jetë ai që mendimet e tjerëve i përball me mendimet e të tretëve dhe bën konkluzionin logjik se çka beson ai të jetë më mirë. E jep mendimin për mendimet në rrahje e sipër. Këtë e quajnë botës diskurs, debat. Jopopulisti nuk gjen strehë „tek vullneti i popullit“, tek „shenjtëria e moralit, tokës, dheut e ujit“, por argumenton pa sajuar adresa „elitat xy“, „tradhtarët“, ky ose ai pa ia cituar mendimet konkrete. Populisti pas çdo diskursi harron kauzën që kishte në fatwën pararendëse. Po ia bastisëm inskenimet paraprake do shohim se dje ai ishte brenda asaj elite që shanë sot. Populizmi është ndër zejet më fragjile të mundshme, ngase rrëfimin e ndërton kundër adresave konkrete duke u referuar në adresa abstrakte, ose të atilla që s’mund t’i dijë nëse s’është edhe ai aq zot si ai Populli-Zot që i shërben për t’i denoncuar tjerët e mendimit ndryshe të po atij populli.

IV.
Në perëndim populistët e sojit rrezikojnë ta mbyllin historinë duke shkatërruar demokracitë pluraliste e jo duke i përkryer ato. Në Lindje e Jug populistët duan ta mbysin që në embrion atë që në perëndim bënë karrierë të suksesshme. Pas fashizmit, nazizmit, komunizmit dhe teokracive të ndryshme antihumane, besojmë se populizmi është epidemia e radhës që do ta përgjak njerëzimin. Shqiptarët po se po e ndoshta edhe me keq ngase „demonin“ e festojnë si „engjëll“, vetëm pse ashtu thotë bulevardi e hesht si në varr intelektuali. Ose i kurdisur nga kompleksi i inferioritetit djeg intelektualitetin së paku që ta fitojë “miletin”.