Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri është pezulluar me një ndeshje, pas vendimit të gjyqtarit sportiv të Serie A, për shkak të protestave të ashpra në fund të ndeshjes ndaj Lazios, ku dhe u ndëshkua me të kuq.
Sipas raportit zyrtar, ai kundërshtoi me tone të ashpra ndërsa arbitri po kryente rishikimin e episodit Romagnoli-Pavlovic dhe u drejtua fillimisht drejt tunelit të dhomave të zhveshjes në shenjë pakënaqësie.
Pas përjashtimit, ai pati edhe një sjellje provokuese ndaj pankinës kundërshtare. Përveç pezullimit, Allegri është gjobitur me 10 mijë euro.
Edhe zëvendëstrajneri i Lazios, Marco Ianni, është ndëshkuar me një ndeshje pezullim dhe 5 mijë euro gjobë për një reagim të konsideruar kërcënues ndaj trajnerit kundërshtar.


