Cult

Promovohet libri “Yje mbi dafina” në kujtim të 21 zyrtarëve policorë të rënë në detyrë

09/20/2020 14:04
nga:N S

Yje mbi dafina”, kështu titullohet libri me të dhëna të 21 zyrtarëve policorë të rënë në detyrë. Dokumente, fotografi e rrëfime familjare janë të përfshira në këtë libër, i cili kujton jetën e gjithë atyre që humbën jetën në uniformë. Në 21 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, organizata Joqeveritare “Kulturat”, në bashkëpunim me këtë institucion, të premten ka prezantuar monografinë “Yje mbi dafina”, dhe ekspozitë me fotografi të tyre.

Me portrete familjare, individuale, e të veshur në uniformë është prezantuar kjo ekspozitë në kujtim të 21 zyrtarëve policorë që humbën jetën në uniformën e policisë.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se sot përkujtohen heronjtë e Kosovës, duke shtuar se kjo ngjarje tregon përkushtimin e tyre për vendin dhe popullatën.

“Për mua është mjaft vështirë meqenëse shumicën apo të gjithë i kam njohur. Me gjithë ata kemi punuar bashkë, dhe kemi marrë pjesë në funeralin e tyre. Dhe kjo është mjaft e rëndë. Kuptohet që kriminelët gjithmonë do të urrejnë policinë dhe do të bllokojnë rrugët që të pengojnë ata. Qoftë edhe duke ua marrë jetën policëve. Kjo ndodh jo vetëm tek ne por në tërë botën, meqenëse policia në tërë botën e ka një mision në detyrë në shërbim të qytetarëve, mbrojtjen e tyre. Dhe për kriminelët policët gjithmonë do të jenë pengesë”, tha ai.

Qalaj u zotua se do të vazhdohet lufta e policëve, në mënyrë që Kosova të jetë shtet demokratik. Ndërkohë që shtoi se zyrtarët policorë po vazhdojnë të jenë të përkushtuar edhe gjatë kësaj kohe, ku nëntë prej tyre humbën betejën me COVID-19.

Ndërsa, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu ka përgëzuar iniciatorët e këtij projekti, duke theksuar se është përkujtim shumë i rëndësishëm. Përmes kësaj monografie, ai tha se njerëzit shohin anën njerëzore, për të mbajtur gjallë kujtimet familjarëve të tyre. Sipas tij, Policia e Kosovës është profesionale dhe përkushtuar në shërbimin policor.

“Më duhet të them se ne ndonjëherë, mendoj se shumica prej nesh e marrin punën e policisë si të mirëqenë, ne mendojmë se policia është gjithmonë këtu dhe ne nuk i kuptojmë sakrificat që bën policia në jetën të përditshme. Kur shohim këto fotografi të policëve të rënë, mendoj që i japin një dimension dhe emocion ekstra asaj për çka po flasim sot. Ne mund të dëgjojmë emrat e tyre dhe është disi një teori, ne shohim fotografitë e tyre dhe ne shohim qeniet njerëzore dhe kur shikoj fotografitë këtu në galeri, nuk mund të mos ndihem i trishtuar, këta janë policë, në moshën më të mirë të tyre, të rinj, burra dhe gra që sakrifikuan jetën e tyre, në mënyrë që ne të jemi të sigurt dhe të jetojmë në një shoqëri të sigurt dhe të qëndrueshme. Kur shoh fotografi të tjera, për shembull këtu, të fëmijëve, ndiej një ndjenjë shtesë të emocioneve, sepse e kuptoj që sakrificat e tyre janë gjithashtu sakrifica të familjeve të tyre, është e tmerrshme që gratë, nënat dhe baballarët i kanë humbur më të dashurit e tyre”, është shprehur ai.

Autorja e këtij projekti, Mihane Hoxha tha se sot me 21 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës po realizohet ky projekt me qëllim të ruajtjes dhe dokumentimit të jetës së heronjve të rënë në uniformë të policisë.

“Në këtë libër për të dëshmuar momentet e jetës së këtyre policëve, kërkohej që të jenë bijtë e bijat e mrekullueshme, prindër, anëtar të familjes, miq e fqinjë, në shërbim të komunitetit. Për t’iu treguar nëpërmjet kësaj monografie familjarëve të tyre, fëmijëve të këtyre policëve në lidhje me kuptimin aq të fotografive të kornizuara që kanë në muret e tyre të dashurve që kanë shkuar në amshim. Libri hapet me të dhënat biografike e narrative, elementare për secilin nga policët”, ka theksuar Hoxha.

Autorja e librit tha se në fund të librit paraqiten fotografitë e 21 zyrtarëve policorë, e që gjithë ky projekt është në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

02/27/2020 07:35

Libri i vitit 1981 që parashikoi ardhjen e koronavirusit