Lajme

Prokurorja thotë se është vërtetuar fajësia e Andi Pajazitit, mbrojtja kërkon që ai të shpallet i pafajshëm

01/28/2025 12:50
nga:N K

Në fjalën përfundimtare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurorja Bukurije Gjobalaj kërkoi nga Gjykata dënimin e të akuzuarit Andi Pajaziti, kurse mbrojtja e këtij të fundit kërkoi që i akuzuari të lirohet në mungesë të provave.

Andi Pajaziti po akuzohet për vrasjen e K.R., më 4 gusht 2023, në lokalin “Bon Vivant”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, fjalën përfundimtare e paraqiti prokurorja Gjonbalaj, duke thënë se nga deklaratat e dëshmitarëve dhe provat materiale, është vërtetuar se Pajaziti është fajtor për vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore dhe armëmbajtje pa leje.

Prokurorja tha se prova më e rëndësishme që është video-incizimi, si dhe vetë ekspertiza mjekësore kanë nxjerrë përfundimin se Pajaziti duhet të shpallet fajtor për veprat penale për çka është ngarkuar.

Në fund, prokurorja Gjonbalaj kërkoi nga Gjykata që të akuzuarit Pajaziti t’i llogariten si rrethanë rënduese dënimet e kaluara për vepra penale dhe dëmi që është shkaktuar nga veprimi i tij.

“Rrethanë rënduese se i akuzuari Pajaziti është i dënuar për vepra të tjera penale dhe dëmi i shkaktuar”, tha Gjonbalaj.

I dëmtuari Granit Zeqiri deklaroi se nuk mund të drejtojë gishtin ndaj askujt se kush i ka shkaktuar dëmin, por se do të parashtrojë kërkesë pasurore-juridike.

Për të dëmtuarin Agim Zeqiri, avokati Arlind Tahiri tha se nuk i bashkëgjiten ndjekjes penale të Prokurorisë ndaj Pajazitit, pasi që veprimet e tij nuk ndërlidhen asgjë me dëmin që i është shkaktuar Zeqirit, por se parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike.

Dhe për të dëmtuarën Ardit Aliu, avokati Vahir Alija tha se paraqet kërkesë pasurore-juridike dhe se i bashkëngjitet ndjekjes penale të Prokurorisë ndaj Pajazitit.

Ndërkaq, në seancë sërish mungoi i dëmtuari Visar Ramadani- vëllai i të ndjerit K.R.

Mbrohen në heshtje dy të akuzuarit për krim të organizuar me…

Më pas, fjalën përfundimtare e dorëzoi edhe mbrojtja e Pajazitit, avokatët Florent Latifaj dhe Fanol Krasniqi.

Avokati Krasniqi tha se drejtësinë duhet ta udhëheqin provat, argumentet dhe faktet, dhe në asnjë rrethanë emocionet. Tha se qoftë nga deklaratat e dëshmitarëve, por edhe provave materiale del se Pajaziti ka qenë i sulmuar dhe se aktakuza e ngarkon për veprime që ka mbrojtur jetën e tij.

Krasniqi tha se Pajaziti ka qenë i sulmuar në ditën kritike me shishe në kokë dy herë radhazi dhe se në drejtim të tij ka pasur dy armë, e se nga goditjet me armë tashmë ka si pasojë të përheshme dëmtimin në pjesën e krahut.

Po ashtu, avokat tha se shumë lehtë ka mundur të ndodhë që në bankën e të akuzuarit të jetë tani i ndjeri K.R., dhe i dëmtuar- i vrarë Pajaziti.

Gjithashtu, avokati Krasnqi tha se sulmi i bërë ndaj Pajazitit ka qenë ka qenë i vërtetë, i kundërligjshëm, i atëçasshëm, duke u plotësuar figura e veprës penale “Vrasje e kryer në mbrojtje të nevojshme.”. Prandaj, në fund Krasniqi kërkoi që Pajaziti të shpallet fajtor dhe të lirohet nga akuza në mungesë të provave.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 qershor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit lidhur me vrasjen e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant”. Pajaziti ngarkohet për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” pasi që sipas Prokurorisë nga tronditja që kishte marrë prej tani të ndjerit K.R., i akuzuari pa fajin e tij dhe pa menduar për pasojat e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të K.R.

Ndryshe, në këtë rast i ndaluar ishte edhe N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit. Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.

Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti thuhej se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të pandehurve.

Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave. Detajet nga aktakuza mund t’i gjeni KËTU. /BetimipërDrejtësi