Lajme

Prokuroria përgatit kallëzim penal për pjesëtarin e LDK-së që tentoi të blejë vota

11/14/2017 19:17
nga:A K

Prokuroria Themelore e Ferizajt është duke përgatit kallëzim penal ndaj shefit të kabinetit të kryetarit në detyrë Muharrem Svarqa, Balton Dërguti, i cili në zgjedhjet e 22 tetorit siguroi një ulëse në Kuvendin e Ferizajt. Shkas për këtë u bë një video e publikuar nëpër rrjetet sociale ku Dërguti gjatë bisedës me personin me inicialet L.K, dëgjohet duke i premtuar para në këmbim të votave.

Policia e Kosovës në Ferizaj thotë se ka kryer intervistimin e këtyre dy personave, ndërkaq me pjesën tjetër do të merren organet e drejtësisë.

“Pas publikimit të një incizimi në rrjetet sociale Prokuroria e Shtetit ka autorizuar hetuesit rajonal të hetimeve që të ndërmarrin veprimet policore dhe të intervistohen dy të dyshuarit, policia gjatë ditës së djeshme ka kryer intervistimin e dy të dyshuarve dhe në konsultim me prokurorin e shtetit ndaj tyre do të ngritët kallëzim penal lidhur me veprën penale dhënia apo marrja e ryshfetit në lidhje me votimin, pas intervistimit të të dyshuarve me urdhër të prokurorit të shtetit palët janë liruar, ndërsa lënda procedohet në prokurori, në gjykatë, në procedurë të rregullt”, tha Agim Gashi, zëdhënës i Policisë së Ferizajt.

Ndërsa, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shkuri Jashari, duke mos dashur të prononcohet para kamerës, përmes telefonit njoftoi se janë në përgatitje të kallëzimit penal për Balton Dërgutin. Ai tha se për këtë vepër dënimi është nga 1 deri në 5 vite burgim.

Derisa, Balton Dërguti refuzon të deklarohet për media, shefi i tij Muharrem Svarqa, në një tubim elektoral të mbajtur dje, tha se distancohet nga ky veprim duke theksuar se blerja e votave nuk është traditë e LDK-së dhe se nuk e donë votën e blerë.

11/21/2017 19:18

Abrashi e le prapa Ahmetin, ky është numri i votave që i kanë shtuar në raundin e dytë të zgjedhjeve! (Foto)