Lajme

Prokuroria ankohet për dënimet në rastin Badovci!

09/02/2017 14:41
nga:Gazeta Blic

Prokurorja speciale Drita Hajdari insiston që në rastin Badovci të akuzuarit kryen përgatitje të veprave terroriste e jo shtytje për kryerjen e tyre.

Pak më shumë se një muaj pasi gjeti fajtor dhe dënoi me 18 vjet burg të arrestuarit e rastit Badovci nën akuzën e shtytjes së kryerjes së veprave terroriste, prokurorja speciale Drita Hajdari i është drejtuar Gjykatës së Apelit e pakënaqur me vendimin.

Aktgjykimi i muajit të kaluar të Gjykatës Themelore të Prishtinës dënoi për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, Besnik dhe Enis Latifin, Milam Haxhiajn dhe Gazmend Halitin, ndërsa Fehmi Musa u shpall fajtor për ndihmë në shtytje të kryerjes së këtyre veprave.

Haxhiaj, Haliti dhe Enis Latifi në korrik u dënuanme nga 3 vjet e gjysmë burg, ndërsa Besnik Latifi u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg. Fehmi Musës iu shqiptua dënimi prej 3 vjetësh burg.

Tre të dënuarit deri në shpalljen e dënimit ndaj tyre, akuzoheshin për përgatitje të veprave terroriste, një vepër që u rikualifikua në shtytje për kryerjen e këtyre veprave.

Prokurorja Hajdari në ankesën e saj drejtuar Gjykatës së Apelit pretendon se rikualifikimi i veprës penale nga përgatitja e veprave terroriste në shtytje në kryerjen e veprave terroriste është i paqëndrueshëm.

“Kjo prokurori me bazë konsideron se qëllimi i të akuzuarve nuk ishte shtytja e personave të tjerë në kryerjen e veprave terroriste, por kryerja direkte e akteve terroriste nga ana e të akuzuarve, për çka edhe dëshironin të betoheshin publikisht ndaj udhëheqësit të tyre për zbatimin e urdhrave të tij deri në sakrificë”, thuhet në ankesën e prokurores së Prokurorisë Speciale të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Ndryshe nga prokurorja Hajdari, avokatja e të akuzuarit Besnik Latifi, Albana Kelmendi tha se nuk ka vepër penale në veprimet e personave të rastit “Badovci”.

“Mbrojtja pajtohet me prokuroren lidhur me atë se në veprimet e të akuzuarve nuk ka elementë të veprës penale të shtytjes, sepse në fakt nuk ka fare elemente te veprës penale dhe të akuzuarit duhet të shpallen të pafajshëm dhe të lirohen nga akuza”, thuhet në përgjigjen në ankesë të avokates Kelmendi.

Këto dënime të shqiptuara nga Gjykata Themelore e Prishtinës ishin më të lehta krahasuar me dënimet që ishin shqiptuar në korrik të vitit 2016 kur Besnik Latifi ishte dënuar me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Fehmi Musa me 4 vjet dhe Enis Latifi me 10 vjet burg.

L3ehtësimi dënimeve ndodhi pasi që Gjykata Supreme e Kosovës ktheu në rigjykim rastin Badovci duke gjetur se nuk është plotësuar figura e veprës penale përgatitja e veprave terroriste.

Sipas aktakuzës, Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi, në korrik të vitit 2015 kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Grupi, sipas prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës./Kallxo.com

01/16/2020 20:09

PDK-ja inicon seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Prishtinës për Badovcin