Lajme

Prokurori që e intervistoi Islam Pacollin për sulmin ndaj oficerit të sigurisë: “Nuk i kam renet me u rrasë në diskutime me gazetarë”!

06/14/2018 13:19
nga:Gazeta Blic

Rexhep Maqedonci prokurori i rastit të oficerit të sigurisë në Ministrinë e Drejtësisë, i cili dyshohet se është sulmuar fizikisht nga deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AKR-së, Islam Pacolli, refuzoi të deklarohet për rastin.

Maqedonci, i cili e kishte intervistuar deputetin Pacolli, një ditë pas incidentit thotë se tani nuk dëshiron të merret me gazetarë.

“Nuk i kam renet me u rrasë në diskutime me gazetarë, si kom renet”, është shprehur ai me tone të larta në një bisedë telefonike për “Gazeta Blic”, pa dhënë më shumë detaje.

Ndërkaq vet deputeti Pacolli, mohoj para deputetëve sulmin ndaj oficerit të sigurisë të Ministrisë së Drejtësisë.

“Nuk është e vërtetë që e kam sulmuar, ky është inskenim, e vërteta është se kam dashtë me hi në objekt me ID, dhe ai ka vendosë me më kthy prapa, i bëj thirrje mediave që mos t’i propagandojnë se gjoja jam arrestuar, kjo nuk është e vërtetë, këtë koha do ta vërtetojë”, ka thënë Pacolli.

Deputeti i AKR-së Islam Pacolli

Poashtu Pacolli bëri thirrje nga foltorja që njerëzit që janë nëpër institucionet e Kosovës duhet ta respektojnë ligjin.

Kurse nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar intervistimin e deputetit Pacolli dhe oficerit të sigurisë lidhur me rastin si dhe lirimin e tyre në procedurë të rregullt. /Gazeta Blic/