Lajme

Pritje të zbehta për tryezën e LDK-së

04/21/2018 17:46
nga:Gazeta Blic

Të mërkurën Lidhja Demokratike e Kosovës ka thirrur një takim ndërmjet partive politike, ku si temë kryesore do të jetë platforma për dialogun me Serbinë dhe përgatitjet për zgjedhjet e reja.

Partitë politike përveç Vetëvendosjes nuk kanë konfirmuar pjesëmarrjen, duke bërë që për këtë tryezë të mos ketë pritshmëri të larta.

Analisti politik Imer Mushkolaj thotë për lajmi.net se tema e platformës për dialogun me Serbinë është punë e kryer, dhe tryeza e LDK-së është një aktivitet “post-mortum”.

Sipas tij, platforma për dialogun me Serbinë së pari do të duhej të miratohej në Kuvend, e pastaj t’i dërgohet presidentit.

 

Ai pretendon se përë këtë temë, kanë vendosur kryeparlamentari Veseli dhe Haradinaj.

“Platforma më mirë të themi është një listë me tema, mirëpo po duket se është punë e kryer dhe nuk është dashur me ndodhë kështu. Ish dasht kryeministri me propozu pasi të takohet me gjitha palët, ajo t’i prezantohet Kuvendit, e pastaj ti dorëzohet presidentit. Këtu e kemi punë të kryer. Është marrë vesh Veseli me Haradinajn me ia dorëzu presidentit. Tryeza e LDK-së është aktivitet post-mortum pasi nuk ka kurrfarë roli, dhe besoj që ashtuquajtura platformë do të kalojë në Kuvend, dhe presidenti do të marrë mandatin për të udhëhequr me bisedimet”, ka thënë Mushkolaj.

Skepktik për suksesin e kësaj tryeze është shfaqur edhe njohësi tjetër i rrethanave politike, Ramush Tahiri.

Tahiri ka thënë se LDK-ja duhet të paraqes një platform, duke treguar temat kryesore në të cilat do të jetë e fokusuar.

“LDK-ja tash ka mbetur partia më e madhe opozitar është në fazën e transformimit të lidershipit dhe, dëshiron ta merr rolin kryesor opozitar por edhe rolin kryesor të drejtimit të shoqërisë. Dhe në kuadër të kësaj po thërret tryeza dhe tribuna, një të tillë e ka pasur edhe për demarkacionin. Tash shpresojmë se do të organizohet dhe do të ketë më shumë pjesëmarrës, në çfarë platforme do të del, duhet t’i tregoj pikat në të cilat synon që të jetë e koncentruar dhe fokusuar”, deklaroi Tahiri për lajmi.net.

 

Analisti Tahiri duke folur për temën e zgjedhjeve, thotë se opozita nuk i ka votat për ta rrëzuar qeverinë. Por edhe kjo e fundit sipas tij, po qëndron në pushtet pa vota.

Sipas tij, deputetët që po frikësohen se e kanë mandatin e fundit, nuk po kanë guxim të marrin iniciativë për rrëzimin e qeverisë.

“Të shohim se a do ta pranojnë partitë e tjera rolin udhëheqës të saj në ndërtimin e platformës për rrëzimin e qeverisë, apo korrektimin në qeveri. Kemi ardhur në situatë që qeveria është në pushtet, edhe pse nuk i ka votat. Por as opozita nuk i ka votat me rrëzu qeverinë. Duket se lidhet me fatin individual të deputetëve që po llogaritin se mandatin e ardhshëm nuk do të jenë deputetë, dhe po duan ta çojnë mandatin deri në fund, e nuk po marrin inicativë me rrëzu qeverinë”, thotë Ramush Tahiri.

Kurse Mushkolaj ka thënë se vendi në zgjedhje, shkon vetëm kur të dojë presidenti Thaçi.

Sipas tij, tryeza e LDK-së nuk mund të sjellë marrëveshje për të shkuar në zgjedhje të reja.

“Në zgjedhje nuk shkohet pa dashur njëra nga partitë në pushtet. Në zgjedhje shkohet vetëm nëse donë z.Thaçi. Haradinaj është në shërbim të Thaçit, çkado që po dëshiron ai, Haradinaj po thotë mirë. Opozita nuk besoj se e çon vendin në zgjedhje. Tryeza nuk mund të sjellë marrëveshje për ta çuar vendin në zgjedhje”, ka përfunduar Imer Mushkolaj.

Tryeza e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mbahet të mërkurën.

Lajmi.net ka tentuar të flas edhe me partitë në pushtet nëse do ta pranojnë ftesën, por ata nuk kanë pranuar të flasin.

Partia e Isa Mustafës tash e sa kohë nëpërmjet konferencave e komunikatave, po kërkon unitet politik që vendi të shkojë në zgjedhje.

03/19/2019 14:42

Anton Quni flet për zgjedhjet në LDK, thotë se e ka kandidatin potencial për kryetar