Lajme

Presidentja Osmani priti në takim një delegacion të rrjetit shqiptar-gjerman për angazhim politik, DANPE

07/30/2025 15:29
nga:Lorik J

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot një delegacion të shoqatës se rrjetit shqiptaro-gjerman për angazhim politik, DANPE, me të cilin bisedoi për rolin e rëndësishëm të diasporës shqiptare në forcimin e marrëdhënieve Kosovë–Gjermani dhe në përfaqësimin të mirëfilltë të shqiptarëve në jetën politike dhe publike gjermane.

Presidentja shprehu mirënjohje për angazhimin e anëtarëve të rrjetit dhe theksoi rëndësinë e kontributit të tyre në promovimin e vlerave demokratike.

Rrjeti shqiptaro-gjerman për angazhim politik përbëhet nga anëtarë që jetojnë në Gjermani, ndërsa rrënjët i kanë kryesisht në hapësirën shqipfolëse – në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginë të Presheves dhe pjesë te tjera. Ajo që i bashkon është angazhimi politik.

Shumica e anëtarëve të DANPE-së janë aktivë në parti të ndryshme demokratike gjermane apo në organizata, shoqata dhe nisma të tjera politike e shoqërore.

Përtej përkatësive partiake dhe rajonale, rrjeti synon të promovojë dhe fuqizojë angazhimin politik të diasporës shqiptare në Gjermani.

“Qëllimi ynë është t‘i bashkojmë shqiptarët në Gjermani dhe për t‘i mbështetur sa më shumë në politikën e Republikës së Gjermanisë, pa dallime partiake,” u shpreh bashkëkryetarja e DANPE-së, Albana Tërstena.

Ndërsa bashkëkryetari Irjad Ajvazi shtoi: “Anëtarët tanë janë profesionistë nga fusha të ndryshme – politologë, sociologë, shkencëtarë të ndryshëm, ekonomistë, studentë e të tjerë“.

DANPE ka për qëllim t‘i lidhë dhe bashkërendojë anëtarët e vet nga të gjitha landet federale të Gjermanisë, duke i mbështetur ata në përfshirjen aktive në jetën shoqërore dhe politike në Gjermani.