Lajme

Të shemben muret mentale

10/05/2017 22:30
nga:Hashim Thaçi

Marrëdhënia e Komisionit Evropian me Ballkanin Perëndimor si edhe vetë politika e zgjerimit ka qenë e ndërlikuar. Të frikësuar nga ndjenjat ksenofobie, të përziera me lodhjen nga zgjerimi përbrenda BE-së, administrata pat nxituar të thotë se nuk do të ketë zgjerim të BE-së gjatë mandatit 2014-2019. Edhe pse të gjithë njohësit e politikave të zgjerimit e dinin se vështirë se do të kishte diçka konkrete për zgjerim deri në vitin 2019, megjithatë shprehja e kësaj politika në mënyrën më eksplicite ka pasur pasoja shkatërrimtare në rajon, duke minuar përpjekjet reformuese. Fakti që kancelaria Merkel e pa të nevojshme nisjen procesit të Berlinit për gjashtë vendet e Ballkanin Perëndimor, si përpjekje për të mbajtur gjallë perspektivën evropiane pavarësisht deklaratave të Komisionit, është shumë domethënës.

Muajin e kaluar, Ballkani Perëndimor mori edhe një goditje tjetër nga Komisioni aktual. Në letrën e publikuar pas fjalimit vjetor para Parlamentit, Presidenti i Komisionit Evropian premtoi një strategji për pranimin e Malit të Zi dhe Serbisë në BE deri në vitin 2025. Problemi qëndron në faktin se katër vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë lënë jashtë kësaj perspektive të ripërtërirë dhe të përforcuar. A është e nevojshme të përmendet se tri nga katër prej këtyre vendeve janë vende me shumicë myslimane dhe tri nga të katërtat kanë shumicë ose popullsi të konsiderueshme shqiptare? Ky veprim ngriti spekulime se kjo ishte një përpjekje për t’i bërë qejfin forcave që anojnë më shumë nga e djathta, e që po shfaqen në të gjithë BE-në. Megjithatë, çfarëdo qoftë arsyeja, kërcënimi i rritjes së ndikimit rus në Malin e Zi dhe Serbi nuk duhet të shpërblehet nga BE-ja, ashtu siç nuk duhet të kthehet në disavantazhmungesa e kërcënimeve të ngjashme ose alternativave për Kosovën.

Për fat të keq, për Kosovën komplikimet nuk përfundojnë këtu. Kosova mbetet pa njohje nga pesë shtete anëtare të BE-së. BE-ja ende duket e bindur edhe pse disa nga anëtarët e saj mund të vazhdojnë të mos njohin pavarësinë e Kosovës se edhe Kosova një ditë do t’i bashkohet BE-së. Ky është përkufizimi i të menduarit të dyfishtë Oruellian, i papërshtatshëm për një institucion demokratik dhe transparent. Zgjidhjet e pamenduara deri në fund, e të cilat u gjetën për të mbajtur procesin në lëvizje por pa rënduar shtetet jo-njohëse (siç ishte nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim pa qartësi të plotë për hapat e ardhshëm), në një moment do të vihen në test dhe një përgjigje e qartë duhet dhënë: A e gëzon Kosova një perspektivë evropiane, apo jo?

Më lejoni të jem i qartë: nuk ushqej ëndrra se Kosova do të jetë e gatshme për t’iu bashkuar BE-së vitin e ardhshëm. Ne në Ballkan e dimë mirë se sa shumë kohë merr ky proces. Sidoqoftë, ne jemi njëlloj të vetëdijshëm- dhe të shqetësuar – për faktin se procesi është po aq i padrejtë. Liberalizimi i vizave është një shembull i qartë. Përveç që është e fundit në rend, Kosovës i janë dhënë 95 kritere, kur fqinjët e saj i kanë pranuar me përmbushjen e rreth 50 kritereve. Për më tepër, Kosova ka përmbushur plotësisht të 95-tat, nëse interpretohen në mënyrën e paraparë në udhërrëfyesin formal, por qytetarët ende mbesin të izoluar. Të dy kriteret “e mbetura” kanë qenë dhe vazhdojnë të ri-interpretohen nga BE-ja për arsye politike si një justifikim për t’i penguar kosovarët që të udhëtojnë lirshëm. Qeveria e Kosovës është “përpjekur të përmbyllë” demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, edhe p se Kuvendi nuk e ka ratifikuar ende atë. Mirëpo, sa më shumë që Kosova i është afruar fazës finale, aq më e ashpër u bë kjo kërkesë. Mos të përmendim këtu faktin që jemi përballur me një kërkesë asimetrike, pasi që Malit të Zi nuk i është kërkuar të bëjë të njëjtën gjë në udhërrëfyesin e tyre për liberalizim të vizave. Për më tepër, Kosova ka adresuar kriteret që kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në një masë shumë më të madhe se sa që ka bërë në procesin e liberalizimit të vizave cilido shtet tjetër që ka përfituar nga ky proces. Neve po na kërkohet vazhdimisht të punojmë “më shumë” në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar pa asnjë qartësi se çfarë do të paraqiste përmbushja e këtyre kriteri të mbetura. Arsyetimi i bërë shpesh nga shumë zyrtarë të BE-së se përse Kosova po vlerësohet më ashpër, është se BE-ja mëson nga përvoja e saj e kaluar. Megjithatë, kjo vetëm e ekspozon faktin se kemi të bëjmë me qasje të ndryshueshme dhe se ky sistem është çdo gjë tjetër përveç se i drejtë. Në rastin tonë, është diskriminues.

Ne e dimë se rruga përpara është e gjatë dhe e mbushur me pengesa, por ne jemi të gatshëm të punojmë. Ajo që ne kërkojmë është e thjeshtë: Të formalizohet perspektiva e anëtarësimit për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Çdo strategji për anëtarësim duhet të përfshijë të gjitha vendet që gëzojnë një perspektivë të tillë. Duke anashkaluar disa dhe duke dhënë data për anëtarësim vetëm për disa prej tyre, automatikisht zvogëlon kredibilitetin e pjesës tjetër. Kjo, nga ana tjetër, është demoralizuese dhe ngadalëson shpejtësinë e procesit dhe rrezikon t’i frenoj proceset reformuese.

Përparësitë e trajtimit të barabartë janë veçanërisht të dukshme në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Në kontekstin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, ku forca kryesore shtytëse është procesi i integrimit në BE për secilin vend, stimulimi asimetrik është shkatërrues. Si mund të presë dikush që populli kosovar, koalicioni qeverisës dhe opozita të bien dakord për reforma jashtëzakonisht të pakëndshme në favor të një pakice që dikur na ka shtypur, nëse shohin se frytet e një marrëveshjeje të tillë do të jenë vetëm në të mirë të palës tjetër?

BE-ja shpesh na e përsërit se ne duhet të tregojmë lidership dhe të marrim vendime që nuk janë as të lehta dhe as popullore, por që janë në interes të vendit tonë. Epo, tani kanë rastin e mirë për të na dëshmuar këtë. Pavarësisht lodhjes me zgjerimin dhe rritjes së partive të djathta populliste – bëjeni gjënë e duhur!? Zgjerimi është padyshim i mirë për secilin nga vendet e rajonit, individualisht dhe si grup, si dhe do të ishte i mirë edhe për vet BE-në, sepse do të krijonte stabilitet dhe mundësi ekonomike në një rajon të shkatërruar nga lufta që ndodhi me pak se 20 viteve më parë.

Unë ende besoj në vlerat fondamentale të BE-së dhe në atë se vullneti qytetar për një kontinent të bashkuar dhe të integruar, do të mbizotërojnë. Kosovarët janë me shumicë dërmuese në favor të anëtarësimit në BE dhe janë plotësisht dhe tërësisht të përkushtuar ndaj vlerave evropiane. Nëse na jepet një mundësi e drejtë dhe një perspektivë e qartë, ne si popull do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për t’u reformuar, përmirësuar dhe për të përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagës. Por që kjo të ndodhë, BE-ja duhet t’i japë fund izolimit të kosovarëve dhe të shemb muret mentale, të ndërtuara mbi paragjykime të rreme dhe të rrezikshme.

11/22/2017 12:01

Presidenti Thaçi takoi kryeministrin Trudeau, konfirmohet përkushtimi për vlera të njëjta