Lajme

Presidenti raporton për Greqinë, jo në Kuvend por Presidencë

03/01/2018 15:01
nga:M H

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta do të presë mëngjesin e nesërm, deputetët e Komisionit të Jashtëm për të biseduar në lidhje me çështjen e negociatave me Greqinë dhe komunikimin mes Kreut të Shtetit dhe ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.

Ky vendim i Presidentit u mor pas kërkesës së opozitës në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit për të thirrur edhe Presidentin në seancë dëgjimore, pas asaj të zhvilluar me ministrin Bushati.
Fillimisht, Presidenti pranoi kërkesën, por Top Channel ka mësuar se këshilltarët e tij kanë këmbëngulur që ai të ndryshonte qëndrim, duke i dhënë Presidentit Meta dy arsye.
E para, thirrja për seancë dëgjimore në komisione ka vlerën e një llogaridhënieje para deputetëve dhe kjo, sipas këshilltarëve të Presidentit, do ta ulte Kreun e Shtetit në rangun e një ministri.

E dyta, raportimi i Presidentit në një komision të Kuvendit do të përbënte një precedent me rrezik, duke e ekspozuar Presidentin ndaj thirrjeve të tjera të mundshme në të ardhmen, edhe për çështje që mund të mos ketë dëshirë të trajtojë.

Si zgjidhje është gjetur që Presidenti të ftojë Komisionin e Jashtëm në zyrën e tij për të trajtuar shqetësimet e Kreut të Shtetit mbi negociatat me Greqinë.

09/19/2018 22:24

Demiri: Të mirremi me idenë, jo me Presidentin