Lajme

Presidenca e Kosovës: Vrasja e Xhemail Mustafës plagë e hapur, drejtësia duhet të vihet në vend

11/23/2024 15:21
nga:Sh R

Presidenca e Republikës së Kosovës përmes një postimi në faqen zyrtare në ‘facebook’, kanë kujtuar Xhemail Mustafën, me rastin e 24 vjetorit të vrasjes së tij.

Në shkrimin e presidencës thuhet se Xhemail Mustafa ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Ibrahim Rugova dhe një njeri i devotshëm ndaj vizionit për një Kosovë të pavarur dhe demokratike.

Presidenca në fund të shkrimit thotë se vrasja e tij është një plagë e hapur dhe drejtësia duhet të vihet në vend.

“Në 24-vjetorin e vrasjes, e kujtojmë me respekt, Xhemail Mustafën, një njeri të jashtëzakonshëm, një aktivist politik dhe intelektual që dha gjithçka për lirinë dhe të ardhmen e Kosovës. Ai ishte një bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, një njeri i devotshëm ndaj vizionit për një Kosovë të pavarur, të lirë dhe demokratike. Ai mbetet simbol i guximit, i integritetit dhe i përkushtimit ndaj vendit.Vrasja e tij mbetet një plagë e hapur, ndaj drejtësia duhet të vihet në vend.Qoftë i përhershëm kujtimi për Xhemail Mustafën!|”, thuhet në reagimin e Presidencës.