Lajme

Premtimi i pa mbajtur i Kadri Veselit për veteranët

06/16/2019 20:43
nga:L H

“Njësoj do të ndodhë edhe me disa iniciativa që PDK do të ndërmarrë në vazhdim, të cilave, ju siguroj, do t’u shkohet deri në fund.”

Këto ishin disa nga fjalët e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe kryetar i PDK-së, Kadri Veseli kur në një konferencë për meda më 9 qershor, saktësisht sot një javë, paralajmëroi edhe inicimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për veteranët mashtrues, shkruan Gazeta Blic.

Ai në këtë konferencë tha se që vjen (pra, 9-16 qershor) PDK do të nisë një tjetër iniciativë siç ai u shpreh, legjitime, në vazhdën e adresimeve të shqetësimeve publike: statuset e veteranëve të luftës, për të cilat ka dyshime se janë ndarë pa merita.

“Si një prej themeluesve të UÇK-së, unë nuk mund të rri indiferent karshi mashtrimeve që ndodhin në emrin e UÇK-së. Prandaj, përmes Grupit Parlamentar të PDK-së, javën e ardhshme unë do ta inicioj krijimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar që do të hetojë dyshimet për mashtrimet në listat e veteranëve. Komisioni i vjetër qeveritar, si dhe i riu, do të ftohen nga ky Komision Hetimor Parlamentar”, tha Veseli.

Mirëpo, këto deklarata të tij të cilat i bëri pasi tha se nuk dëshiron ta bartë flamurin për iniciativën për krijimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë, nuk dolën të jenë të tilla.

Edhe një javë pasi tha se do ta iniciojë këtë Komision, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ai, siç duket, gjatë kësaj jave ishte i zënë me zgjedhjet e brendshme në partinë që udhëheqë, PDK-në.

Sot, ai, me 100% të votave u zgjodh kryetar i kësaj partie. Madje për premtimet e bëra para një jave nuk u morr gjatë tërë javës.

Për iniciativën e Veselit pati edhe reagime të shumta. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së qeverisë ka folur edhe për iniciativën e kryetarit të PDK-së.

“Te çdo obligim që merr parlamenti është i respektueshëm nga ana ime. E respektojmë dhe mendoj se sa i përket asaj teme është bërë temë e ndjeshme. Unë e kam njëfarë parimi që kur është lënda nëpër gjykata nuk jap shumë mendime të mia. Është mirë që t’ia lëmë drejtësisë që ta jap mendimin e vet”, tha Haradinaj

E, ndër ta, ishte edhe kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati i cili tha se nëse formohet një komision hetimor parlamentar i cili do të hetojë e pastrojë listat e veteranëve të UÇK-së, kjo mund të jetë ndërhyrje në drejtësi.

Në lidhje me numrin e saktë të veteranëve, ai tha se janë rreth 39 mijë që marrin pensione, ndërsa numri i saktë i tyre sillet rreth 20 mijë./Gazeta Blic