Cult

Prekëse nga Çun Lajçi: S’kam zemër t’i lexojë mesazhet e Bubulinës, më mbeti peng pa të thënë diçka (Foto)

12/11/2017 19:53
nga:Gazeta Blic

Çun Lajçi me anë të një statusi ka shprehur dhimbjen që po ndjen ndaj vajzës së tij, e cila ndërroi jetë javë më parë.

Aktori i njohur ka thënë se nuk ka zemër të marrë telefonin e saj i cili cingërron pa pushuar se që s’ka zemër t’i lexojë.

Shkrimi i tij i plotë në Facebook:

Copëza kujtimësh

Rri pranë dritarës në Cornerin e mehallës, ku jo shpesh rrishe edhe ti, e shiqoj akujt e zgjatun strehës se si pikojnë e mendja n’sekond shkon n’Drelaj.

Kur bora këtu e zbardhi Platonë e Kurrizit, po varret atje n’Drelaj them, sa shumë borë duhet të kenë përmbi!
I mërdhimë pranë radiatorit të ngoht, mendja me rrin atje n’gjinin e tokës ku ti ma s’lëvizë e flas me ty e shikoj akujt që shkrihen nga kjo rreze me “dhamë” n’cegmen e këtij dimni.

Tani gjithçka m’asht ba me nji emën, me nji ftyrë e nji datë. S’di a jam unë i vdekun a ti e gjallë që flas me hijën tande e pres t’me vinë SMS-at n’telefon:

Ku jeni? Hej babë…nanë!
O prit se erdha moj prit…n’Corner jemi.
Ok… blej jogurta pemësh dhe hajde shpejt!
Dhe instinktivisht çohem e dal përjashta, e prap kthehem e ulem, krejt si n’andërr.

Sa mirë që flas me ty mengjezeve deri sa pres me ardhë jote amë, e shkruaj t’mos harrohen kujtimet, se nji ditë kur t’mos marr ma frymë, fëmijtë e Leartit mbase do t’na kujtojnë!

Eh moj Bubë. Peng n’zemër me mbeti që nuk të tregova kur të nxorra nga spitali, për Laptopin që Remzi Ejupi ta fali. Ai gruas së vet ia mori e tha Bubës m’ia çoni se Eminemin ka qejf n’Youtube me shique.

Thash i tregoj kur të kthehna nga Amerika, por s’ishte shkru me nda gëzimin me ty. Tani Laptopi i kuq, rri i hapun mbi tavolinë, bashkë me telefonin tand që cingëron pa pushua e mbushet mesazhe e zemër s’kam me i lexua!

Sa e çuditshme kjo jetë moj e bekumja ime, sa shumë qave për Emin, at Yllin Anglez kur u shua. Sa shumë me tregove për biografinë e saj e t’Eminemit, të cilin njizet vite e ndëgjove e kurrë s’tu mërzit.

Tani pyes vetën, mos vallë kishe diçka të përbashkët me fatin e tyne që aç e pasionume ishe pas atyne kangëve!

Tani që kam kohë me tepricë mundohem me i kujtua të gjitha rrugëtimet tona, andaj si e kthej Ninon n’banesë,futem këtu n’Corner ku shumëherë pimë kafe bashkë, e filloj mallin me shtrydhë n’letër.


Kujtimet me vargisën njena pas tjetrës, si ai kthimi nga dita e xhirimit grykës Dragobisë, pasi kishim përfundua xhirimet,n’Valbonë, të filmi Gjerman “ Shqiptari” e mua m’u kish tek me shkua n’Prishtinë, se kisha nji parandjenjë jo të mirë, andaj e luta Luan Jahën, i cili e luante vllaun tim n’film, të me voziste, sepse unë s’kisha veturë.

Nuk hezitoi, mbasi ma dinte hallin dhe fillë u nisem. Sapo kaluam kufinin në Qafë Morinë, Gala m’telefonoi: Buba m’tha s’asht mirë!

Ma ba gadi i thash, se paret e meditjeve i mora e n’orën njizetë e tre nisemi me autobus për Beograd.
I lodhun, n’shpirt i këputun, i mërzitun e kaplua mallit u nisem për t’satën herë drejt asaj rrugës
“ Tetovska 45” në nji qoshe të Beogradit.

S’po flas për mundin e frikën e kalimit të kufinit, jo. Po flas për gazepin e plakut që dridhej rrugëve të Beogradit tue kërkua bujtina, mengjezeve të hershme me nji vajzë të re që kërkonte shpetim!

T’kujtohet sa u gëzuam kur e gjetëm njifar Hotel Postën për pesëdhjetë euro natën,aty pranë Stacionit të Trenit, ku unë n’rininë time me qinda herë merrja rrugë për Prishtinë.

Të mori gjumi për vdekje e unë plaku të rrija mbi krye tue numërua sekondat e frymëmarrjës sate.
Në mbramje e kërkuam ndihmën në “ Lorien Centar” që në vitet e ardhshme, do t’na bahej si shtëpia jonë.
Sapo e mirrje pak vetën, kërkoje me shkua në MecDonallc, aty të Sllavia, ku shumë e shumë herë gjumin e bamë n’Hotelin e Vjetër!

Eh moj Bubë. S’di a pate harrua a jo, por kur t’vendosa n’Klinikë e deshta me pagua qendrimin, kur e futa duarën n’xhep me i nxjerrë eurot, mbeta i shtanguam.

Ajo bjondina thatake që ishte n’pranim, me pyeti: çka ke? S’je mirë?
Siduket n’ato momente me kishte ikë gjaku e isha zbeh n’fytyrë. Veç shpirti sa s’me kishte lëshua!
I thashë: mi paskan vjedhë paratë nga xhepi!

I erdhi keq dhe për t’ma lehtësua dhimbjen e tregoi rastin e nji tjetër prindi nga Podgorica që i kishte ndodhë njisoj si mua nji muaj para. Unë i mjeri tue u mbajt n’ato kacavjerrset e autobusit, hajnat e Beogradit m’i kishin zbrazë xhepat!
T’lash ty aty e vet mora rrugët tue vlua mendimësh: ku dhe kujt ndihmën me ia kërkua. O Zot, po qysh s’luajta mendjesh e qyshë zemra s’me lëshoj prej vuajtjësh!

U futa kabinave telefonike e me centat e fundit Osman Bardhin n’Vintërtur e thirra. I tregova fill e për pe,e burri i Rugovës m’tha mos u mërzit, se nuk të len kusherini n’shkijeni me vuejt. Ai brenda ditës për Ty paret me Ëestern Union m’i dergoj!
Oh Zot thash, po deri kur dorën duhet me shtri për nji grimë shpresë!
Edhe ai viti i demostratave të përgjakshme, kur ushtarët Rumun para hotel Bozhurit i vranë dy aktivistët e Vetvendosjës, të gjeti të shtrime në

“ Lorienin e famshëm “ të Beogradit.
Fati e deshti t’me telefononte Blerim Destani për manifestimin e mbylljës së 20 vjetorit të Sharr Turistit e ta merrte vesh hallin tonë mbetun peng atyne rrugicave të Vozhdovcit,e babës Lazim t’i tregonte.

Flokëbardhi shpirtmirë nga Lindja e Mesme m’u lajmërua e tha: afrohu deri n’Ëstern e mos u dëshpëro se ka Zot e vajza ka ymër e unë kam shpirt. Dhe ai t’a pagoi hospitalizimin!

Vera që shkoi ishte hera e fundit që e vizituam dhe hera e parë që ma s’isha ai baba i pasun, i fortë e kryelartë.
Për t’parën herë të thashë: kurrë ma këtu s’do t’vimë, se unë përfundimisht s’jam ma ai që t’thosha: mos u mërzit se babë i pasun jam!

Ti i hape sytë e the: Jo babë, mos thuaj ashtu, se ti ke pare, e di unë!
Ike pa t’pyet: a s’deshte me besua apo vërtetë mendove se babën e ke t’pasun?

08/30/2017 08:41

Zjarri afër kishës së Laçit, rrezikohen edhe banesat