Lajme

Prapaskenat e Aktgjykimit

05/31/2020 08:04
nga:E Sh

Gjykata Kushtetuese është shërbyer me normë jorelevante, u është referuar afateve çfarë nuk i përmban Kushtetuta dhe është bazuar edhe në dokumente që u kontestohet vërtetësia, përgjatë misionit të saj për t’ia dhënë vulën e kushtetutshmërisë Dekretit jokushtetues të presidentit Hashim Thaçi, me të cilin ka caktuar për mandatar për ta formuar qeverinë e re një kandidat jashtë partisë fituese. Parashikimet e para që janë dhënë flasin për pasoja të mëdha politike nga aktgjykimi që ia humb rëndësinë garës elektorale.

Nëpërmjet Aktgjykimit, përfundimet e të cilit i ka publikuar në orën 22:29 të së enjtes, Gjykata e ka shpallur kushtetues Dekretin e presidentit Thaçi, me të cilin Avdullah Hoti i është propozuar Kuvendit për kryeministër. Kandidaturën para kreut të shtetit e kishte përcjellë Lidhja Demokratike (LDK), parti e dytë që ka dalë nga zgjedhjet e fundit. Ky subjekt politik ka në plan që në fillim të javës ta iniciojë thirrjen e një seancë në Kuvend, në të cilën do të zgjidhej Qeveria, shkruan KOHA Ditore.

Pas mocionit të sponsorizuar nga LDK-ja kundër Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, presidenti ishte përcaktuar që t’i evitonte zgjedhjet dhe duke u thirrur në nenin 95 të Kushtetutës, i kishte kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) një mandatar për ta formuar qeverinë e re. Ky nen kërkon që kandidati për kryeministër, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit paraqet përbërjen e Qeverisë para deputetëve dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. Por, akti suprem juridik qëndron i heshtur përkitazi me kohën kur nis të rrjedhë afati 15-ditor. Prandaj, LVV-ja nuk ia kishte ofruar Thaçit emrin.

Presidenti e ka pritur vetëm 20 ditë LVV-në. Pas kësaj kohe, e ka kapërcyer atë dhe ia ka ofruar LDK-së mundësinë për ta propozuar mandatarin, nën supozimin se LVV-ja ka refuzuar ta paraqesë emrin e kandidatit të ri për kryeministër, ani se në shkëmbimin e letrave Kurti kurrë nuk e kishte thënë këtë.