Sporti

Pozita e portierit, shqetësim i madh për Kosovën para ndeshjeve të nëntorit

11/08/2019 14:37
nga:L I

Kosovën e presin dy ndeshjet “jetike” për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020.

Të enjten, Kosova do të udhëtojë në Plzen për t’u përballur me Çekinë, ndërsa pas tri ditëve e pret Anglinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Futbollistët e kombëtares, shumica prej tyre po kanë minuta nëpër ekipet përkatëse, ndërsa pozita e portierit mund të jetë problem seriozi për Bernard Challandes, shkruan Indeksonline.

Portieri i parë i Kosovës, Arijanet Muric, në 11 ndeshjet e fundit me Nottingham Forest, ka luajtur vetëm në kupën e Anglisë, ndërsa në të gjitha ndeshjet tjera ka qenë rezervist. Pra, që nga 20 gushti, Muric ka startuar në vetëm një ndeshje.

Ndërsa, portieri i dytë, Samir Ujkani, ka krizë edhe më të madhe. Portieri i Torinos tash e 30 ndeshje nuk ka shijuar asnjë minutë me ekipet, fillimisht me Rizesporin e pastaj me Torinon. Që nga 23 dhjetori i vitit të kaluar e deri më sot, Ujkani nuk ka shijuar minuta me klube.

I vetmi që po ka minuta në kombëtaren e Kosovës sa i përket portierëve është Visar Bekaj, i cili është startues i padiskutueshëm te Prishtina.