Lajme

Pozita dhe opozita me qëndrime të kundërta për murin!

02/03/2017 19:04
nga:Gazeta Blic

Mos respektimi i rezolutës së Kuvendit të Kosovës nga ana e Qeverisë, për rrënimin e murit të ndërtuar ilegalisht në veri të Mitrovicës, ka ndikuar që një pjesë e deputetëve të partive opozitare t’i humbin shpresat se muri mund të rrënohet nga drejtuesit e Qevetisë aktuale edhe pas pranimit të palës serbe për zhbërjen e tij.

E derisa kjo pjesë e deputetëve ka humbur shpresat se mund të ndodh një gjë e tillë, deputetë të partive në pozitë  konsiderojnë se rrënimin e murit në veri do ta bëjnë ndërtuesit e tij.

Sadri Ferati, dëputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e LDK-së, tha se pret veprime konkrete nga drejtuesit e Komunës së Mitrovicës së Veriut, pas pranimit për rrënim të murit.

“Pas këtij vullneti të deklaruar nga pala serbe mbetet të presim se a do të ketë veprime konkrete në terren”, tha Ferati për “Gazeta Blic”

Kurse Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, vlerëson se është zgjidhje e duhur që të arrihet një marrëveshje për rrënimin e murit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Kryetarit të Komunës së Veriut, Goran Rakiq, në mënyrë që ky i fundit ta bëjë shëmbjen e tij.

“Unë pres që përmes dialogut të ulën gjakrat, pres që të zhvillohet një proces normal sa i përket çështjes së murit që do të thotë mbi bazën e dialogut mes Qeverisë edhe Kuvendit komunal respektivisht kryetarit të Komunës së Veriut, Goran Rakiq, të arrihet një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes së këtij muri, kjo do të ishte zgjedhja më e mirë se sa qeveria ta tregojë forcën e rrënimit me bagera. Mendoj që nuk kemi nevojë të zhvillojmë luftë me mulli të erës por kemi nevojë që të komunikojmë institucionalisht dhe me qenë se është një vendim i qeverisë së muri është ndërtu pa leje atëherë kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut do të ishte më mirë që ta rrënonte vetë, pa muskujt e askujt”, tha Haliti.

Në anën tjetër Shqipe Pantina, deputete nga Kuvendi i Kosovës, nga radhët e VV-së, tha për “Gazeta Blic” se nuk duhet të mirret seriozisht deklarimi i palës serbe karshi murit, pasi që sipas saj, nëse ata do të kishin këtë gatishmëri, nuk do ta ndërtonin murin fare, andaj ajo kërkon nga Qeveria e Kosovës rrënimin e tij.

“Afati për rrënimin e murit ka kaluar më 31 janar pas rezolutës që e kishte miratuar Kuvendi i Kosovës, nuk kishim asnjë veprim nga Qeveria jonë. Ai është një ndërtim pa leje dhe duhet të trajtojhet si një veprim jo ligjor, dhe për këtë duhet të reagojnë institucionet përgjegjëse, në këtë rast përgjegjëse është Ministria e Planifikimit Hapësinorë. Dklarimet e tilla nuk duhet të merren seriozisht sepse ka pasur edhe me herët deklarime të tilla por nuk kanë qenë të gatshëm t’i realizojnë ato, sepse po të ishin të gatshëm ata që të vepronin me mirëbesim nuk do ta ndërtonin këtë mur fare, prandaj është përgjegjësi e institucioneve të vendit në këtë rast e Qeverisë që ta bëjë rrënimin e atij muri”, është shprehur Pantina.

Ndryshe nga deputetja Pantina, Enver Hoti deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e NISMA-s, është shprehur i zhgenjyer me drejtuesit e Qeverisë aktuale, duke thënë se nga ta pret vetëm shtim të tensioneve në mungesë të guximit pëe të ndarmarrë masa ndaj murit.

“Nuk kemi informacion të plotë se çka ka deklaru pala serbe, ndërsa Qeveria e kosovës nuk i ka përmbushur obligimet e saj sa i përket afatit të caktuar nga rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës për rrënimin e murit dhe nga qeveria aktuale mund të presim vetëm më shumë tensionim të situatës në veri sepse kjo nuk po tregohet e gatshme ta shtrij sovranitetin në atë pjesë”, tha Hoti.

Në lidhje me pranimin e palës serbe për rrënimin e murit në veri të Mitrovicës”Gazeta Blic” ka provuar të flasë me zyrtarë të Qeverisë, por ata nuk kanë qenë të qasshëm gati në asnjë përpjekje të redaksisë. I heshtur karshi kësaj çështje ka qenë edhe zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi si dhe Bajram Gecaj këshilltar i Kryeministrit Isa Mustafa.

Muri në veri të Mitrovicës është ndërtuar në fillim të muajit dhjtor të vitit të kaluar. Që nga ajo kohë, kjo çështje është përcjellur me tensione nga ana e qytetarëve dhe përfaqësuesve të partive opozitare. Ky mur ka bërë ndarjen e Mitrovicës së Jugut nga ajo e Veriut në mënyrë fizike./GazetaBlic.com/

12/12/2019 00:09

“LDK e zuri në befasi Vetëvendosjen”