• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Pozhari: Opozita ishte e bindur se do të humbas, prandaj po e kërkon një momentum të ri për zgjedhje

06/17/2024 13:50
nga:G C

Xhevdet Pozhari thotë se opozita ishte e bindur se do të humbas, prandaj po e kërkon një momentum të ri për zgjedhje.

Ndërsa, veprimin e PDK-së që i shkoi në takim kryeministrit Kurti, Pozhari e sheh si të drejtë.

“Në fakt, gjatë qeverisjes në periudha të caktuara është folur për zgjedhje por tash pasi është afruar afati ligjor ka qenë më intensive, kemi pasur dhe një iniciativë konkrete nga PDK-ja, prandaj dhe pritshmëritë ishin se mund të ketë zgjedhje vetëm nëse arrihet një konsensus brenda partive opozitare për të shkuar në zgjedhje. Mendoj se nuk u konkretizua me sukses deri në fund dhe të marrin pjesë në zgjedhje, opozita e di se nuk do t’i fitojë zgjedhjet, partitë opozitare e dinë se me numra nuk do të dalin të parët prandaj edhe presin një moment që mund të jetë më i përshtatshëm për ta dhe mund të përfitojnë dhe nga gabimet”, tha Pozhari.

“Në fakt ka qenë PDK e cila e ka imponuar temën e zgjedhjeve, ndërsa Kurti ka qenë i interesuar për marrëveshjet ndërkombëtare që më pas u votuan në Kuvend. PDK luajti rolin e asaj opozitar siç i ka hije një partie opozitare, ngaqë në gjykimin tim secila opozitë duhet të angazhohet që ta rrëzojë një qeveri dhe të vie vet në pushtet”, shton tutje analisti.

Pozhari e ka quajtur opozitën frikacake, derisa është i bindur se do t’i humbasin edhe zgjedhjet.

“Mua më është dukur veprim frikacak, thjesht është ditur se nëse shkon edhe LDK, numrat për ta bërë një mocion mosbesimi do të bëheshin, nëse do të ishin të vërteta ato që tha z.Kurti se do t’ia ofronte opozitës numrat edhe të VV-së për ta shpërndarë Kuvendin. Ata u fshehën, u strukën pas argumentit se z.Kurti duhet të japë dorëheqje, megjithëse një opozitë duhet të jetë e interesuar dhe e gatshme në çdo moment të shkojë në zgjedhje, nëse konsiderojnë se mund të dalin fitues por prapa gjithë kësaj fshihet frika se s’do të jenë fitues. Alternativa që të kemi një qeveri me mandat të plotë është më e besueshme por nuk përjashtohet shtatori, duke pasur parasysh se të gjitha partive politike nuk iu konvenon aq stina e dimrit për t’u mbajtur zgjedhjet, ndonëse kjo qeveri e mori mandatin në muajin shkurt por nuk është në parapëlqimet e tyre që vendi të shkojë në zgjedhje në kohë me mot të ftohtë”, tha Pozhari për Expose, prodhim i GazetaBlic.