• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Pozhari: Në këto zgjedhje u rikonfirmua fuqia politike që ka Albin Kurti

02/16/2025 16:13
nga:Genita C

Analisti politik Xhevdet Pozhari ka vlerësuar procesin zgjedhor si një model demokratik, duke theksuar se ky ishte një proces që mund të shërbejë si shembull edhe për shtetet e tjera.

Ai për “Expose”, prodhim i GazetaBlic, e ka cilësuar si një garë të ndershme, ku partitë politike kanë konkurruar me projekte dhe këmbëngulje për të fituar besimin e popullit, dhe se rezultati ka treguar se Albin Kurti gëzon besimin më të madh në popullatë.

Pozhari gjithashtu theksoi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të kishte pësuar rënie nëse nuk do të kishte bërë koalicion, ndërsa LDK-ja ka qenë shumë larg pritshmërive të saj. Ai e vlerësoi PDK-në për rritjen e saj, por e theksoi se ajo ka marrë shumë më pak vota se Lëvizja Vetëvendosje.

“Para se të flas për rezultatin duhet të flitet patjetër për procesin zgjedhor që është shembull, demokratik, është një proces zgjedhor që mund të na kenë lakmi edhe shtetet përreth por ndoshta edhe më gjerë. Eshtë shpërfaqur tashmë vullneti i popullit, atë që partitë politike janë munduar t’a përvetësojnë me deklarime politike duke thënë se do të dalin të parët… pra ka qenë një garë me projekte por edhe me këmbëngulje se kanë një rezultat të mirë”, tha Pozhari.

“Megjithatë në fund rezultati dëshmoi që besimi më i madh në popullatë është për zotin Kurti. Po ashtu ishte tregues se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nëse s’do të bënte një koalicion do të binte tashmë prej pragut ndërsa LDK-ja është shumë larg pritshmërive dhe pretendimeve të saj. E vetmja që pati një rritje qështë PDK-ja, mirëpo nëse e shohim në total, atëherë është përgjysmë më pak vota se Lëvizja Vetëvendosje. Në këto zgjedhje u rikonfirmua edhe njëherë fuqia politike e zotit Albin Kurti”, shtoi ai.

Në përfundim, Pozhari bëri një kritike për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke thënë se praktikat e tyre të pasakta kanë krijuar konfuzion dhe kanë penguar gazetarët dhe analistët në informimin e qytetarëve.

“Problemi i KQZ-së veçanarisht na ka prekur më së pari ne që merremi me analiza politike dhe gazetari për të informuar qytetarërt, ngase edhe ne na ka vënë shpeshherë në lajthitje në konfuzion…nuk ka qenë një praktikë që ka ndodh më herët dhe shpresoj të zbardhet sa më shpejt”, tha Pozhari.