Lajme

Polonia investon 2.2 miliardë euro në përforcimin e kufirit me Rusinë dhe Bjellorusinë

05/19/2024 18:20
nga:G B

Polonia po investon rreth 2.2 miliardë euro për të rritur sigurinë dhe parandalimin përgjatë kufirit të saj me Rusinë dhe Bjellorusinë, njoftoi të shtunën kryeministri polak Donald Tusk.

Ai zbuloi se projekti Shield-East, i cili përfshin ndërtimin e fortifikimeve ushtarake, tashmë ka filluar.

Duke theksuar pozicionin strategjik të Polonisë në krahun lindor të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, Tusk nënvizoi përgjegjësinë e vendit për sigurinë e Evropës.

“Ne kemi marrë vendimin për të investuar në sigurinë tonë dhe para së gjithash në një kufi të sigurt lindor, rreth 10 miliardë zloty (2.2 miliardë euro)”, tha Tusk, raporton Euronews.com, transmeton Klankosova.tv.

Ai shpjegoi se projekti përfshin ndërtimin e një kufiri të fortifikuar dhe të modifikuar mjedisor për të siguruar që ai të jetë i padepërtueshëm nga armiqtë e mundshëm.

“Ne kemi filluar këto punë, për ta bërë kufirin e Polonisë një kufi të sigurt në kohë paqeje dhe të padepërtueshëm për një armik në kohë lufte,” shtoi ai.

Tusk iu drejtua trupave polake në Krakov, duke shënuar 80-vjetorin e fitores së Aleatëve në Betejën e Monte Cassino gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Qeveria e mëparshme e krahut të djathtë në Poloni ndërtoi një mur 367 milionë euro përgjatë kufirit me Bjellorusinë për të frenuar fluksin masiv të emigrantëve në vitin 2021. Megjithatë, qeveria aktuale pro-BE beson se nevojitet përforcim i mëtejshëm.

Polonia vazhdon të jetë një aleat i fortë i Ukrainës në mbrojtjen e saj kundër pushtimit të Rusisë.