Lajme

Politikologu serb: Sfondi i Banjskës është shumë më i madh se sa mendoni

01/31/2024 08:43
nga:N K

James O’Brien, ndihmës sekretari amerikan i Shtetit i kujtoi edhe një herë Beogradit se pret ndjekjen penale të atyre që janë përgjegjës për konfliktin e armatosur në Banjskë. Ndonëse ngjarja e 24 shtatorit në veri të Kosovës pushoi së qeni fokusi kryesor i komunitetit ndërkombëtar në Ballkan, partnerët perëndimorë nuk e mbyllën këtë çështje.

Ata presin përgjegjësi, vënien para drejtësisë të organizatorit të konfliktit, Milan Radoiçiq dhe mbylljen e çështjes Banjskë. Beogradi hesht me kokëfortësi, kurse rasti i ish-nënkryetarit të Listës Serbe mbahet në sirtar në prokurori, ndërsa Perëndimi pret përgjigje, shkruan Nova.rs.

Përgjigje përpos Perëndimit pret edhe i gjithë opinioni serb. Tashmë më 24 shtator, kur ndodhi konflikti në Banjskë në të cilin u vra një polic i Kosovës dhe tre terroristë serbë, morëm një aluzion nga autoritetet se nuk do të mësojmë shumë për një aksion të organizuar në dukje në veri të Kosovës.

Pas videove nga porta e manastirit, në të cilat shihet Milan Radoiçiq me kapele, pushkë në dorë dhe uniformë ushtarake, presioni i ndërkombëtarëve ndikoi që të paktën zyrtarisht të zbulohet se kush qëndron pas Banjskës.

Përgjegjësinë e ka marrë Milan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Aleksandar Vuçiqit.

Shumë shpejt nisi hetimi, ndërsa në fillim të muajit tetor u ndalua një ish-funksionar i lartë dhe biznesmen kontrovers, me fillimin e kallëzimit penal. Asgjë nuk ka ndodhur që atëherë. Radoiçiq u lirua shpejt nga paraburgimi dhe akuzat për veprimet e tij në veri të Kosovës qëndrojnë në sirtar.

Po ashtu, qytetarët nuk kanë as të dhëna se kush e ka ndihmuar logjistikisht Radoiçiqin për organizimin e ngjarjes në Banjskë.

Konkretisht, dikush duhej të shihte arsenalin e municioneve dhe pajisjeve ushtarake që u dërguan në veri të Kosovës.

Disa muaj pas konfliktit, çështja e Banjskës nuk është më në fokusin e komunitetit ndërkombëtar, por deklarata si ajo e O’Brien tregojnë se Perëndimi pret përgjigje.

Shfaqjet e diplomatëve dhe zyrtarëve të lartë kujtojnë vazhdimisht se Banjska do të “kthehet”, dhe se skeletet nga dollapi që ekzistojnë që nga 24 shtatori 2023 do të vazhdojnë të bëjnë presion ndaj qeverisë në Beograd, si dhe Presidentit të vend, Aleksandar Vuçiq.

Politologu Ognjen Gogiq nënvizon se informacioni i disponueshëm për publikun për konfliktin e armatosur është vetëm maja e “ajsbergut” dhe se shumë çështje mbetën të pazgjidhura pas 24 shtatorit.

Kur është fjala për hetimin kundër Milan Radoiçiqit, Gogiq vëren se SHBA-ja dhe BE-ja presin ndjekjen penale të ish-nënkryetarit të Listës Serbe, por Beogradi nuk po bën shumë për ta realizuar atë.

“Sfondi i Banjskës është shumë më i madh se sa mendoni”, shpjegon Gogiq për Nova-n.

Bashkëbiseduesi i Nova pohon se nuk do të ketë sanksione ndaj Beogradit sepse ka kaluar shumë kohë nga incidentet. Në anën tjetër, Gogiq thotë se përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare duan të shohin se ndaj Radoiçiqit do të zhvillohet procedura.

“SHBA dhe BE nuk e fajësojnë drejtpërdrejt Serbinë për Banjskën, por presin që ajo të ndërmarrë hapa të caktuar drejt ndjekjes penale të Radoiçiqit. Beogradi këtu është ambivalent, duket se është “nxehtë e ftohtë” dhe duket se masat ndaj Radoiçiqit janë marrë për të mbrojtur veten, d.m.th. ekstraduar. Në thelb, Serbia nuk do të ndërmarrë hapa për të përcaktuar përgjegjësinë e tij”, thekson politologu.