Lajme

Politikanët që s’kanë nevojë për viza, janë të pajisur me pasaporta të Shqipërisë (EMRAT)

12/06/2017 12:42
nga:M H

Mos-ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacion mes Kosovës dhe Malit të Zi në Kuvendin e Kosovës i mban edhe më tutje qytetarët e vendit të izoluar. Qëndrimi zyrtar i BE-së është që Kosova nuk do të përfitojë nga liberalizimi i vizave pa e ratifikuar këtë Marrëveshje dhe të mos arrijë rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit.

Tema e demarkacionit po vazhdon që nga viti 2015, kur edhe u arrit Marrëveshja për këtë çështje. Një pjesë e përfaqësuesve të popullit deklaron se Kosova me këtë Marrëveshje humb 8.000 hektarë, ndërsa të tjerët vlerësojnë se Marrëveshja është arritur si duhet dhe duhet të ratifikohet. Marrëveshjes i kanë dhënë përkrahje edhe Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, raporton Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.

Por, Qeveria e Kosovës, të hënën e ka proceduar në Kuvend Marrëveshjen e demarkacionit, të cilës ia ka bashkëngjitur edhe raportin e Komisionit të ri shtetëror për demarkacion i cili ka konstatuar se Kosova ka humbur territor me këtë Marrëveshje.

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se do të votojë pro ratifikimit të Marrëveshjes, mirëpo partneri i saj i koalicionit qeverisës, AAK, që ka nëntë deputetë, e kundërshton atë.

Kundër ka dalë edhe partneri tjetër më i vogël qeverisës, Nisma për Kosovën e Fatmir Limajt, me gjashtë deputetë, sikurse edhe partia opozitare, Vetëvendosje, me 32 deputetë.

Derisa kjo çështje të mos zgjidhet, qytetarët e Kosovës edhe më tutje do të presin me muaj të tërë për termine në ambasadat evropiane në Prishtinë, e më pas të presin në radhë në diell e në borë për t’i dorëzuar dokumentet për vizë.

Mirëpo, shumë udhëheqës shtetërorë, deputetë, por edhe individë me funksione të larta, nuk kanë nevojë të presin në radhë për viza, pasi që janë pajisur me pasaporta të shtetit të Shqipërisë për të cilët nuk vlen regjimi i vizave me Bashkimin Evropian. Në mesin e tyre janë edhe ata që e kundërshtojnë ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion.

Përmes një dekreti të presidentit të Shqipërisë, shtetësinë e kanë marrë shumë politikanë të Kosovës.

Në muajin prill të këtij viti, shtetësinë shqiptare e morën edhe tashmë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe bashkëshortja e tij Anita, sikurse edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj.

Më parë, pasaportën shqiptare e morën edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, anëtarë të partisë së tij si, Albin Kurti, Dardan Molliqaj, Aida Dërguti, Glauk Konjufca, Liburn Aliu dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Para tyre, shtetësinë e Shqipërisë e kishte marrë edhe anëtari tjetër i kësaj partie, Hydajet Hyseni. Ndërsa, deputetë tjerë të kësaj partie kanë edhe pasaporta të shteteve evropiane, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Në korrik të këtij viti, shtetësinë shqiptare e fituan edhe nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi me bashkëshorten e tij, Fatmiren.

Veç tyre, Shqipëria i ka dhënë shtetësinë edhe ish-kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, pastaj deputeti Arben Gashi i LDK-së, si dhe ish-deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti.

Edhe Selim Pacolli, vëllai i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli, është pajisur me pasaportë shqiptare, i cili në zgjedhjet e fundit lokale garoi për të parin e Prishtinës. Nënkryetari i AAK-së, Gazmend Abrashi, po ashtu është i pajisur me pasaportë shqiptare, sikurse edhe ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini.

Veç politikanëve, shtetësinë shqiptare e kanë fituar edhe fytyra tjera publike në pozita të larta, siç është kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, shefi i Njësisë Kundër Krimit Ekonomik, Nazim Sahiti, drejtori i përgjithshëm i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari, e shumë të tjerë.

Kohë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi nga homologu i tij shqiptar, Ilir Meta, që t’iu mundësojë qytetarëve të Kosovës përshpejtimin e procedurave për pajim me shtetësi shqiptare, kërkesë kjo që u kundërshtua edhe nga Meta por edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

12/14/2017 22:59

Haradinaj: Në mars liberalizohen vizat dhe formohet ushtria