Lajme

Policia për ushtrimin me ambasadën amerikane: U angazhuan rreth 790 zyrtarë, u realizua me sukses e pa incidente

12/12/2025 22:54
nga:Y I

Policia e Kosovës, ka thënë se ushtrimi i përbashkët mes tyre dhe Ambasadës Amerikane është realizuar me sukses.

Nga PK-ja është potencuar edhe se, ushtrimi në fjalë ka pasur për qëllim vlerësimin e gatishmërisë institucionale, forcimin e kapaciteteve reaguese dhe koordinimin ndërmjet njësive relevante në situata të mundshme të krizave dhe emergjencave.

Nga policia është njoftuar edhe se gjatë ushtrimit të cilin PK’ja e ka trajtuar mjaft seriozisht, janë angazhuar rreth 790 zyrtarë të profileve të ndryshme.

“Falë profesionalizmit të njësive të angazhuara dhe bashkëpunimit të qytetarëve, ushtrimi u realizua pa incidente, duke ofruar mundësi për të vlerësuar dhe përmirësuar qasjet operacionale të sigurisë. Policia e Kosovës vlerëson lartë performancën e të gjitha Departamenteve, Drejtorive dhe Njësive Policore të angazhuara, e në veçanti falënderojmë qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik, të cilët treguan kulturë të lartë dhe mirëkuptuan riorientimin e ndërprerjet përkohshme të qarkullimit të trafikut në zonën e ushtrimit’’, ka thënë PK’ja.

Tutje, Policia ka deklaruar edhe se ushtri konfirmon partneritetin e fuqishëm dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Ambasadës Amerikane dhe institucioneve të tjera të përfshira.

Realizohet me sukses ushtrimi i përbashkët i reagimit ndaj krizave nga Policia e Kosovës dhe Ambasada Amerikane

Komunikata e plotë:

Prishtinë, më 12 dhjetor 2025

Policia e Kosovës (PK) njofton opinionin publik se ushtrimi i përbashkët në shkallë të gjerë me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë është zhvilluar me sukses të plotë. Ushtrimi, i realizuar në zonën e Ambasadës Amerikane në lagjen Arbëria, ka pasur për qëllim vlerësimin e gatishmërisë institucionale, forcimin e kapaciteteve reaguese dhe koordinimin ndërmjet njësive relevante në situata të mundshme të krizave dhe emergjencave.

Gjatë këtij ushtrimi i cili u trajtua mjaft seriozisht nga PK-ja, u angazhuan rreth 790 zyrtarë të profileve të ndryshme, ku u demonstrua funksionimi efektiv i mekanizmave të komunikimit dhe reagimit të shpejt, si dhe bashkëveprimi i zyrtarëve të Policisë së Kosovës me personelin e sigurisë së Ambasadës Amerikane. Aktivitetet e planifikuara përfshinë përdorimin e mjeteve të specializuara të sigurisë, testimin e procedurave operative dhe simulimin e skenarëve të ndryshëm të menaxhimit të krizave.

Falë profesionalizmit të njësive të angazhuara dhe bashkëpunimit të qytetarëve, ushtrimi u realizua pa incidente, duke ofruar mundësi për të vlerësuar dhe përmirësuar qasjet operacionale të sigurisë. Policia e Kosovës vlerëson lartë performancën e të gjitha Departamenteve, Drejtorive dhe Njësive Policore të angazhuara, e në veçanti falënderojmë qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik, të cilët treguan kulturë të lartë dhe mirëkuptuan riorientimin e ndërprerjet përkohshme të qarkullimit të trafikut në zonën e ushtrimit.

Ky ushtrim konfirmon edhe një herë partneritetin e fuqishëm dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Ambasadës Amerikane dhe institucioneve të tjera të përfshira, me synim garantimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët, institucionet dhe stafin diplomatik në Republikën e Kosovës.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, ndërsa do të vazhdojë me aktivitete të ngjashme që rrisin ndjenjën e sigurinë dhe gatishmërinë institucionale për çdo situatë emergjente.