Policia e Shqipërisë ka arritur të arrestojë dy të kërkuar, të cilësuar si persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Policia ka thënë se ata janë kapur në një terren të vështirë përmes operacionit të koduar policor “Operacionalja 75”.
Dy të kërkuarit u kapën të armatosur me armë zjarri pistoleta dhe armë gjahu. Ndërsa, janë sekuestruar dy pistoleta, dy armë gjahu, dy radio si ato të policisë, një jelek antiplumb dhe municion luftarak.
“Gjatë operacionit me shkallë të lartë rrezikshmërie, në një terren të vështirë në zonën e Fushë-Kuqes pranë lumit, në një banesë, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale bënë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe ndalimin e dy shtetasve me rrezikshmëri të lartë shoqërore, konkretisht: A. Xh., 42 vjeç, banues në Fushë-Krujë, dhe E. M., 47 vjeç, banues në Mamurras, të shpallur në kërkim, pasi GJKKO ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ për veprat penale: Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, në bashkëpunim të posaçëm të grupit kriminal; Grup i strukturuar kriminal; Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, njoftoi Policia e Shtetit.


