Cult

Policia e Malishevës aktivitete edukative dhe festive, për fëmijë dhe nxënës

12/24/2019 16:03
nga:Gazeta Blic

OJQ “CULTURAT” Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Malishevës kanë realizuar projektin “Duam festë, jo incidente”, për nder të festave të fundvitit.

Këto aktivitete kanë pasur karakter edukativ dhe festiv, ku pjesëmarrës kanë qenë fëmijët parashkollor, filloristët dhe gjimnazistët. Fokusi i temave ka qenë: (Keq)Kuptimi festiv, dëmet që sjellin mjetet piroteknike, fishekzjarrët, përdorimi i armëve të zjarrit, konsumimi i pijeve alkoolike dhe duhanit nga mosha nën 18 vjeç.

Drejtoresha e OJQ-së “CULTURAT” Prishtinë, Mihane Hoxha, duke folur për dëmet që sjellin mjetet piroteknike, fishekzjarrët, konsumimi i alkoolit dhe duhanit nga moshat nën 18 vjeç, ajo i ka ftuar nxënësit për përfshirje në fushata sensibilizuese dhe në projekte në të cilat kontribuohet në krijimin e një ambienti të pastërt dhe të sigurt:

“Mbase ne nuk mund të bëjmë mrekullira, por ejani së bashku të kontribuojmë në një ambient të pastër, për një shëndet të mirë, për siguri të plotë, suksese të mëdha dhe paqe të përgjithshme. Ne, jemi me fat që kemi një polici siç është Policia e Kosovës, e cila është në shërbimin tonë 24 orë. Një gjë duhet ta kemi parasysh që kur jemi të sigurtë, ndihemi më të lumtur”, ka thënë ndër të tjera Hoxha.

Në anën tjetër zyrtarët policorë janë shprehur të gatshëm të jenë pjesë e aktiviteteve të tilla, ku promovohen vlera dhe janë sensibilizuese:

“Ne do të jemi gjithmonë pranë qytetarëve, misioni jonë është të krijojmë ambient të sigurtë për secilin qytetarë. Ne sot këtu jemi për ju dhe do të jemi sa herë që ju keni nevojë. Edhe në të kaluarën kemi organizuar takime të shumta me fëmijë dhe nxënës në shkolla të ndryshme, dhe bashkëpunimet do t’i vazhdojmë edhe në të ardhmen vetëm e vetëm për të garantuar rend dhe siguri në secilin cep të vendit. Fushatat e tilla që sot po e promovojmë le të na shërbejnë për një të ardhme më të mirë, të festojmë dinjitetshëm pa i shkaktuar probleme shëndetit tonë dhe të tjerëve”.

Ndërsa, zëvendësdrejtori i Shkollës Profesionale “Kujtim Krasniqi”, Jonuz Kastrati, duke e përshëndetur projektin në fjalë dhe duke falenderuar Policinë e Malishevës për bashkëpunime të vazhdueshme, ka përçuar mesazhe për të gjithë nxënësit: “Sa më shumë lexim tekstesh edukative dhe arsimore. Më pak qëndrim nëpër kafene.

Më shumë respekt për prindërit, për gjyshërit dhe për më të vjetrit në përgjithësi.

Shmangie me çdo kusht nga dukuritë negative që kaq shumë po e dëmtojnë këtë Vend”. Kastrati, tutje ka dërguar mesazh edhe për mësimdhënësit: Më shumë punë, më shumë edukim, më shumë arsimim.

Të provojmë që t’i bindim fëmijët dhe nxënësit tanë që nese punojmë shumë dhe ndershëm, edhe në Kosovë jetohet mirë.

Të japim kontributin tonë në ndalimin e largimit të fëmijëve dhe të rinjëve nga ky Vend i bekuar”, ka përfunduar Kastrati.

Përveç takimit me nxënës të Shkollës Profesionale “Kujtim Krasniqi”, OJQ “CULTURAT” Prishtinë dhe Policia e Malishevës aktivitetet i kanë zhvilluar me nxënësit e Shkollës Fillore “Ibrahim Mazreku”, ku përveç bisedave interaktive kanë realizuar edhe punime dekorative që simbolizojnë festën e Vitit të Ri.

Ndërsa, në Shkollën Fillore “Ruzhdi Xhyliqi” në fshatin Marali OJQ “CULTURAT” Prishtinë dhe Policia e Malishevës kanë takuar fëmijët e parashkollorës, me të cilët kanë realizuar aktivitete argëtuese dhe në fund iu kanë shpërndarë dhurata.

Pjesë e projektit “Duam festë, jo incidente”, ka qenë edhe tryeza organizuar në Kuvendin Komunal të Malishevës në bashkëpunim me Qendrën Rinore.

Në emër të Qendrës Rinore, Amrush Helashani, duke folur për dinamiken e aktiviteteve që Qendra Rinore i zhvillon ka shprehe gatishmërin për të mbështetë edhe iniciativën e OJQ-së “CULTURAT” Prishtinë, për të mbajtur aktive temat që kanë të bëjnë me dëmet që sjellin mjetet piroteknike, fishekzjarrët, përdorimi i armëve të zjarrit, konsumimi i pijeve alkoolike dhe duhanit nga mosha nën 18 vjeç. Pjesë e kësaj tryeze kanë qenë zyrtarët policorë dhe zyrtarë komunal, të cilët kanë ofruar mbështetje për iniciativën në fjalë dhe çdo fushatë e cila i lufton dukuritë negative.