Policia e Kosovës po bën të pamundurën që të identifikojë akterin e sulmit ndaj portierit, Stivi Frashëri.
Portieri i Ballkanit, Stivi Frashëri është sulmuar nga dy individë pas golit të Enea Koliçit. Teksa tifozët e Gjilanit u futën në fushë për të festuar golin e shënuar nga portieri i tyre në sekondat e fundit të ballafaqimit, dy individë u përkujdesën që të prishin gjithçka.
GazetaBlic Sport mëson jozyrtarisht se B.K, tifoz i Gjilanit është i dyshuari kryesor për sulmin ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri.
Nga Policia e Gjilanit, Ismet Hashani në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’ kanë konfirmuar se akoma nuk e kanë gjetur personin që ka sulmuar Frashërin, megjithatë janë duke punuar intensivisht në këtë drejtim.
“Nuk e di a është arrestu dikush, Policia është t’u punu intensivisht, njesitet janë në vend të ngjarjes”, tha Hashani.
Vlen të theksohet se ultras tifo grupit i Gjilanit, “Skifterat” janë distancuar nga ky sulm, teksa kryesia ka dhënë dorëheqje. SC Gjilani poashtu ka kërkuar falje publike për Ballkanin dhe i ka uruar Frashërit shërim të shpejtë.
/GazetaBlic Sport