Lajme

Policia e FSK-së trajnohet me atë të Kroacisë

3 ditë më parë
nga:G B

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se në kuadër të bashkëpunimit bilateral, Policia Ushtarake e FSK-së ka realizuar trajnim të përbashkët me Policinë Ushtarake të Kroacisë.

Sipas Maqedoncit, fokusi i trajnimit ka qenë në fushën e Mbrojtjes së Afërt dhe Anti-Terrorizmit, me qëllim të përmirësimit të aftësive të personelit të dy forcave policore në menaxhimin e situatave të sigurisë dhe luftimin e kërcënimeve të mundshme.

“Gjatë trajnimit, janë zhvilluar aktivitete intensive që kanë përfshirë qitje me armë të shkurtra dhe të gjata ( ditën dhe natën), si dhe skenarë të ndryshëm për pastrimin e objekteve, ngasjen e automjeteve në poligonin përkatës me pengesa dhe shoqërimi-sigurimi i VIP gjatë ecjes në  natyrë  ‘hiking’”.

“Përveç trajnimit intensiv, gjatë kësaj periudhe është realizuar një shkëmbim i vlefshëm përvojash dhe njohurish mes dy palëve pjesëmarrëse”, shkroi Maqedonci.

Më tej, ai u shpreh se ky aktivitet i përbashkët është rap i rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes Policisë Ushtarake të FSK-së dhe asaj të Kroacisë.