Lajme

Policia bastis shtëpinë e Princ Dobroshit, “bosit” shqiptar të drogës në Evropë

12/07/2023 14:26
nga:N K

Policia e Kosovës ka bastisur sot në Pejë shtëpinë e Princ Dobroshit, i vlerësuar si bosi i mafias shqiptare të drogës.

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë ka bastisur sot shtëpinë e Dobroshit në Pejë.

Në aksion dyshohet se kanë marrë pjesë edhe Policia e Gjermanisë dhe janë sekustruar disa gjëra, përfshirë një veturë.

Princ Dobroshi njihet për aktivitetin e tij në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Në vitin 1993, ai ishte kapur në Norvegji dhe më 1994 ishte dënuar me 14 vjet burg për përfshirje në trafikun e drogës, përkatësisht heroinës.

Më 1997, Dobroshi ishte largua nga burgu Ullersmo i Norvegjisë. Më 23 shkurt 1999, ai ishte arrestuar në Pragë të Republikës Çeke. Në gusht të vitit 1999, Dobroshi ishte dorëzua në Norvegji për të përfunduar vitet e dënimit.

Prej 99-es kur ishte rikthyer në qeli, Dobroshi kishte qëndruar deri në vitin 2005 duke rrumbullakësuar nëntë vite burg përkundër dënimi prej 14 vite burgim. Dy vite kishte ikur nga burgu ndërsa tri vite tjera i ishin hequr nga autoritetet norvegjeze.

Ai ishte liruar me kusht dhe ishte dëbuar nga Norvegjia në janar të vitit 2005.

Dobroshit, po ashtu, i ishte ndaluar hyrja në vendet e Bashkimit Evropian.

Autoritetet policore në Norvegji e në Republikën Çeke, vende këto ku Dobroshi kishte vepruar, e kishin vlerësuar si bosin e mafies shqiptare të drogës. Mediat në këto vende e kishin pagëzuar me nofkën “Peshkaqeni”.

Në vitin 2005 kur kishte kryer burgun, Princ Dobroshi ishte përcjellur nga autoritetet norvegjeze nën masa të rrepta sigurie për në Kosovë.

Kur u rikthye për të jetuar në vendlindjen e tij në Pejë, ai iu rikthye biznesit të lojërave të fatit.

Në vitin 2012, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve ai hapi biznesin “StarLotoSport”, e cila për aktivitet kishte bastvënien. Pas 14 ditësh ka bërë kërkesë për ndërrimin e emrit të biznesit duke e regjistruar si “Eurolive-24”. Kjo kompani është e regjistruar për bastvënie, bixhoz si dhe kafe.