Lajme

Podujeva: E habitshme dhe shqetësuese mënyra si janë zgjedhur fituesit e granteve në Aksionin Ta Pastrojmë Kosovën

01/12/2019 19:05
nga:Gazeta Blic

Komunës së Podujevës nuk i ka pëlqyer “kurorëzimi” i kësaj fushate madje për këtë kjo komunë u ndje shumë e zhgënjyer.

Në një reagim të dërguar për medie, ata kanë thënë që janë angazhuar maksimalisht gjatë kësaj fushate.

“Komuna e Podujevës ka qenë e angazhuar maksimalisht në realizimin e aksionit tremujor në kuadër të projektit “Ta Pastrojmë Kosovën” e të mbështetur nga Qeveria e Kosovës. Mirëpo, Komuna e Podujevës shprehet e zhgënjyer me mënyrën se si u përzgjodhën komunat më të suksesshme në këtë aksion. Konsiderojmë se me rastin e vlerësimit dhe shpërndarje së granteve nuk është përfillur kriteri i vlerësimit të performancës”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune.

Tutje në këtë reagim kjo komunë përmend punët që kanë bërë në kuadër të këtij aksioni, duke u shprehur e shqetësuar për vlerësimin e Ministrisë.

“Duke pasur parasysh kriteret e përcaktuara në fillim të aksionit dhe dukë u mbështetur në performacën e treguar gjatë këtij aksioni nga Komuna e Podujevës, më shumë se e habitshme është shqetësuese mënyra se si organizata Ta Pastrojmë Kosovën dhe MMPH kanë bërë përzgjedhjen e komunave përfituese dhe në cilat kritere u mbështetën për ta shpërblyer performancën e komunave të përzgjedhura si fituese”, theksohet aty.

Po ashtu në reagimin e kësaj komune përmendet edhe platforma ndreqe.com ku prezantohen online deponitë e raportuara dhe të larguara, e ku shihet qartë se komuna e Podujevës radhitet në komunat më të suksesshme.

Ndryshe, për parregullsitë dhe anshmërinë e MPMH-së në shpërndarjen e këtyre granteve kanë reaguar edhe komuna tjera dhe aktivist të kësaj fushate të cilët kanë thënë se procesi ka qenë i ndikuar politikisht dhe është vendoaur në bazë të koqlicioneve qendrore dhe lokale.

Këtë e vërteton fakti se në grupin e dhjetë komunave përfituese të granteve janë shumica komuna ku partia e Ministrit Matoshi është pjesë e qeveriajes.