Lajme

“Po paguhen nga regjimi i vjetër”, AGK-ja dënon gjuhën sulmuese të Kurtit ndaj mediave

09/27/2024 21:58
nga:Sh R

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar ashpër sulmet e fundit të kryeministrit Albin Kurti ndaj mediave.

Reagimi i AGK-së vjen pas deklaratave të Kurtit, ku ai akuzoi mediat se janë paguar nga “regjimet e kaluara” për të prodhuar lajme të rreme dhe dezinformata, lidhur me Byronë për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme.

“AGK-ja e sheh me shumë shqetësim një përpjekje të tillë të papranueshme për të minuar kredibilitetin e mediave në Kosovë pa asnjë fakt dhe argument, duke hedhur akuza drejt mediave se “paguhen nga regjimet e kaluara” për kinse prodhimin e lajmeve të rreme dhe dezinformatave lidhur me Byronë për Verfikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në raportin e fundit të Reporterëve Pa Kufij, Kosova ka shënuar rënie drastike prej 19 vendesh sa i përket lirisë së shtypit, andaj ftojmë Kryeministrin Albin Kurti të përmbahet nga fushata të tilla dhe nga paralajmërimet e tij politike për përndjekje dhe mësymje ndaj mediave e gazetarëve mbi aludime të pa argumentuara, gjë që e përkeqëson edhe më tej situatën në vend sa i përket lirisë së medias dhe ambientit të të bërit gazetari”, thuhet në reagim.

AGK e konsideron këtë gjuhë si një përpjekje të papranueshme për të minuar kredibilitetin e mediave pa ofruar fakte dhe argumente.

“Problematizimi i çështjes së dezinformatave dhe lajmeve të rreme, për të cilat pretendon kryeministri Kurti, nuk bëhet në asjnë mënyrë duke cenuar rëndë dhe pa asnjë argument kredibilitetin e mediave, si një prej shtyllave më të rëndësishme të demokracisë në vend”, thuhet më tej në njoftim.