Lajme

Plenkoviq: Rafale-t e Serbisë janë teknikisht më të dobët se ata të Kroacisë dhe aleatëve të NATO-s

12/12/2025 13:04
nga:Sh R

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, deklaroi sot se avionët luftarakë të tipit “Rafale” që Serbia po blen nga Franca nuk kanë nivelin e pajisjeve dhe teknologjisë që posedojnë avionët e vendeve aleate të NATO-s, përfshirë Kroacinë dhe vetë Francën.

“Dallimet teknike janë mjaft të mëdha dhe të rëndësishme”, u shpreh Plenkoviq para gazetarëve në Zagreb, duke iu përgjigjur kritikave të presidentit kroat Zoran Milanoviq, i cili kishte thënë se Franca fillimisht ia shiti avionët Kroacisë, e më pas Serbisë, pa e konsultuar Zagrebin.

“Le të shkojë në Paris e t’ua thotë këtë francezëve”, shtoi Plenkoviq, duke ironizuar komentet e presidentit kroat.

Lidhur me blerjen serbe të “Rafale”-ve, Plenkoviq tha se Serbia ka bërë zgjedhjen e vet, por nënvizoi se avionët që po merr Beogradi “nuk janë në nivelin e pajisjeve që kanë avionët e vendeve aleate të NATO-s – dhe Kroacia e Franca janë aleate”.

Ai theksoi se avionët “Rafale” të Kroacisë ndodhen tashmë në vend, janë “praktikisht të paguar dhe plotësisht funksionalë”, duke shtuar se Kroacia “aktualisht ka forcat ajrore më të fuqishme ndërmjet Gjermanisë dhe Greqisë”.

Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, gjatë një vizite në kazermën ushtarake në Nish, tha se Serbia do të bëjë gjithçka që Forcat e Armatosura të Serbisë të jenë mjaftueshëm të forta për të ruajtur rolin e tyre si faktor parandalues ndaj çdo agresori të mundshëm.

“Kroacia ka një ushtri jashtëzakonisht të fortë, një forcë shumë e respektuar në rajon, e cila po armatoset me shpejtësi dramatike. Ne nuk flasim aq shumë për armatosjen tonë, por e di saktësisht çfarë duhet të bëjmë për të qenë një ‘arrë e fortë’ për ata që krijojnë aleanca të paparimore në rajon dhe për të ruajtur efektin e parandalimit dhe paqen”, u shpreh Vuciq, duke iu referuar komenteve nga Kroacia për blerjen e avionëve francezë “Rafale” për Ushtrinë Serbe.