Opinion

PISA, Estonezët dhe Kosovarët

12/04/2019 19:57
nga:Agron Halitaj

Shkruan: Agron Halitaj

Estonia u nda nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991. Tetë vjet më vonë, Kosova u çlirua nga Serbia. Si njëri ashtu edhe tjetri shtet rrugëtimin deri në pavarësi e kaloi me jo pak dhimbje. Por më të frymuar lirshëm, Estonia ndoqi një rrugë tjetër nga ajo që më vonë zgjodhi ta ndjek Kosova.

Pushtetarët estonezë i dhanë prioritet arsimit, ndërsa ata kosovarë zgjodhën të ecin pa vizion, por me motivin për t’u pasuruar sa më shpejt. Si rrjedhojë, në dekadën e dytë të pavarësisë, Estonia u bë anëtare e BE-së dhe brenda pak vjetësh u bë avangardë për e-qeverisje, ndërsa Kosova në dekadën e dytë të pavarësisë mbeti vendi më i varfër e më i izoluar në gjithë kontinentin.

Përtej integrimit të njërit shtet dhe izolimit e varfërisë së shtetit tjetër, ka edhe diçka tjetër që vë distancë mes tyre. Në ditët e sotme, Estonia prinë në Evropë për nga niveli i arsimit, ndërsa Kosova mban fundin e tabelës së publikuar nga PISA.

Padyshim se fajin për të keqen nuk dëshiron ta pranoj askush, por realisht rezultati i dobët në arsim nuk duhet t’i faturohet vetëm një ministri apo një qeverie, por të gjithë ministrave të Arsimit dhe qeverive të pasluftës- pa përjashtim. E kur përgjegjësia bie mbi qeveritë, s’mund të kërkojmë amnisti për vete as ne qytetarët që e kemi parë rrënimin tonë si shoqëri nga keqqeverisjet.

– Ne kemi parë se si arsimi po mbushej me matrapazë e injorantë që nuk dinin të shkruanin e të lexonin si duhet, por nuk kemi reaguar;

– kemi parë se si universiteti publik po degjeneronte përditë nga profesorët që vetëm pagat i merrnin aty e punën e tyre e bënin asistentët, por vetëm kemi shushuritur!

– kemi parë se si profesorët universitarë, ata që do të duhej të nxirrnin kuadro të përgatitura për tregun e punës ishin të angazhuar në tri- katër kolegje tjera private, por s’ua kemi prishur terezinë!

– kemi parë se si kolegjet private u shndërruan në sportele për dhënie diplomash, por vetëm kemi shprehur habi!

– kemi parë se si nëpër shumë shkolla japin mësim njerëz që kanë blerë diploma me para, dhe prapë ua kemi besuar fëmijët tanë atyre!

– kemi parë se si Ministria e Arsimit i ka përligjur diplomat false, por kemi besuar në organet e drejtësisë se do të merren me ketë punë!

Pra të gjitha i kemi parë, por kemi zgjedhur të heshtim, herë-herë të ankohemi, por assesi të kërkojmë përgjegjësi.

S’kemi kërkuar përgjegjësi, sepse as vetë nuk kemi qenë gjithaq të përgjegjshëm në raport me fëmijët tanë.

Ne nuk ua kemi kultivuar sa duhet kulturën e leximit fëmijëve tanë, sepse s’para nuk kemi lexuar as vet!

Ne nuk u kemi folur për shkencë, sepse nuk jemi marrë as vet me të (kuptohet me ndonjë përjashtim).

Ne jemi mburrur me pesat në libreza, pa çka se tërë kohën i kemi parë dhe vazhdojmë t’i shohim fëmijët tanë me ‘smartphone’ në duar.

Pra të gjithë ne të rriturit jemi bashkëfajtor që kemi mbetur në “fund të pusit” për nga leximi, matematika e shkenca.

Që të marrim kthesën për së mbari, duhet ta pranojmë se nuk na kanë faj të tjerët që nuk dimë t’i përcaktojmë si duhet prioritetet tona si shoqëri e si shtet; duhet të bindemi se nuk jemi më të mençur, më punëtorë e as më patriotë se popujt e tjerë; e para së gjithash duhet ta shlyejmë nga memoria thënien e famshme: “Hajt se bëhet mirë”.

Autori është drejtor i medias online “Aktivpress”