Milan dhe Stefano Pioli nuk po kalojnë një moment të mirë, me “kuqezinjtë” të cilët këtë fundjavë nuk shkuan më shumë se barazimi 2-2 përballë Salernitana-s në transfertë, duke humbur terren sa i përket garës për titullin kampion.
Trajneri Stefano Pioli nuk ka qenë kurrë kaq në dyshim për të ardhmen, madje as pas humbjes së famshme 5-0 përballë Atalanta-s.
Në atë kohë skuadra pësoi një progres, por sot, pas humbjes me Atalanta-n, apo barazimeve me Lecce-n dhe Salernitana-n gjërat duket se nuk po ndryshojnë për mirë.
Jo vetëm rezultatet, por edhe dëmtimet dhe mungesat e shumta kanë bërë që drejtuesit të humbasin durimin me italianin dhe stafin e tij, por nëse Pioli po reziston deri më tani është vetëm për faktin se drejtuesit po hasin vështirësi në gjetjen e një alternative të mundshme, që i përmbushë të gjitha kriteret.
Pioli është nën vëzhgim dhe kjo tashmë është e dukshme, sepse trajneri nuk flet më për të ardhmen, por vetëm për ndeshjen e radhës. Jo vetëm titulli, por tani situata ka arritur deri aty sa Milan, në fundin e fazës së parë rrezikon edhe vendet e zonën Champion-s, objektivi minimal i vendosur nga klubi në fillimin e edicionit.
Zërat për shkarkimin e tij dhe zyrtarizimin e Conte-s janë prezente, por kjo ide duhet fshirë, kjo pasi Antonio nuk pranon kurrsesi të marrë një skuadër në mesin e kampionatit.
Ish-trajneri i Juventusit dhe Interit, jo vetëm që nuk pranon të nisë punën në gjysmën e kampionatit, por mbi të gjitha është një nga trajnerët që ka kosto shumë të lartë sa i përket pagës dhe duket pothuajse e pamundur që Conte të marrë drejtimin e Milan-it edhe pse ai ka shumë admirues në kampin e 19 herë kampionëve të Italisë.
Milan tashmë sheh përpara ndeshjen e fundit të vitit 2023, atë ndaj Sassuolos më 30 Dhejtor dhe shumë gjëra mund të vendosen duke nisur nga kjo përballje sepse nëse Conte nuk vjen, kjo nuk do të thotë që Pioli është i paprekshëm dhe viti 2024 mund të nisë me surpriza në kampion e “kuqezinjëve”.