Sporti

Pioli rrezikon shkarkimin, këta janë dy kandidatët e mundshëm për postin e trajnerit tek Milan

12/28/2023 12:35
nga:Mergim Rreci

Stefano Pioli së shpejti mund të shkarkohet nga posti i trajnerit të Milanit.

Eksperti italian e mban këtë pozicion që nga tetori i 2019-ës dhe tani, pak më shumë se katër vjet pas emërimit të tij, ai mund të shkarkohet, transmeton GazetaBlic Sport.

Shkak janë në radhë të parë rezultatet e këqija, por edhe numri i madh i dëmtimeve me të cilat skuadra e Milanit duhet të përballet këtë sezon.

Dy kandidatë kryesorë:

Për shkak të moskalimit të grupit në Champions League dhe eliminimit të hershëm nga gara për titull, por edhe faktit që Pioli refuzon të shkarkojë fizioterapistët dhe mjekët e ekipit të tij që konsiderohen përgjegjës për krizën e dëmtimeve në krye të klubit, Milani po përgatit një ndryshim në stol.

La Reppublica shkruan se Roberto De Zerbi i Brighton dhe Antonio Conte janë aktualisht dy kandidatët kryesorë për zgjidhje të përhershme. Megjithatë, synimi nuk është të bëhen ndryshime të mëdha para verës, ndaj është e sigurt që në rastin e shkarkimit të Piolit, sezonin do ta përfundojë Ignazio Abate, i cili aktualisht drejton juniorët e Milanit.

/GazetaBlic Sport/