Disa pjesëtarë të njësisë speciale të policisë së Kosovës dhe doganierë hynë në disa dyqane serbe në komunën e Shtërpcës në kërkim të mallrave serbe.
Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po dërgon forca speciale të armatosura në Shtërpcë me qëllim të frikësimit dhe përpjekjeve për të dëbuar serbët e mbetur duke ushtruar për çdo ditë presion ndaj tyre.
“Kjo është hera e katërt në vetëm pak muaj që Kurti dërgon forca speciale të armatosura në Shtërpcë, të gjitha me qëllim të frikësimit dhe përpjekjes për të dëbuar serbët e mbetur dhe për ndërprerjen e lidhjeve të tyre me zonat e tjera serbe”, tha Petkoviq.
Ai theksoi se përkundër obsesionit të Kurtit me Shtërpcen, shtërpcasit nuk bien në provokime dhe janë të vendosur të qëndrojnë e të mbijetojnë në shtëpitë e tyre dhe i vetmi humbës i veprimeve të tilla të paarsyeshme do të jetë Kurti.
“Shteti i Serbisë do të vazhdojë ta ndihmojë Shtërpcën si ekonomikisht, ashtu edhe në mënyra tjera dhe Kurti nuk mund ta pengojë këtë”, tha Petkoviq.