Lajme

Peticioni për shkarkimin e Shpend Ahmetit, e heshtë PSD-në

10/14/2019 19:47
nga:Y I

Kryetari i Bashkësisë Lokale të Dardanisë Safet Kamberaj ka nisur një peticion për shkarkimin e Shpend Ahmetit nga pozita e kryetarit të Prishtinës pas humbjes së tij në zgjedhjet e 6 tetorit.

Kamberaj ka theksuar se Ahmeti nuk arriti të marrë vota të mjaftueshme për t’u bërë deputet dhe me këtë ka dëshmuar pafuqi politike dhe si i tillë duhet të shkarkohet.

“Megjithëse shumëkush është habitur pse Shpend Ahmeti nuk mundi t’i sigurojë më shumë se 7 mijë vota jo vetëm në kryeqytetin e Kosovës, por në gjithë Kosovën, së pari si shef i Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe së dyti në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), besojmë thellë se është koha dhe momenti i duhur që qytetarët e Prishtinës të mendojnë seriozisht për të ardhmen e qytetit të tyre, në mënyrë që të nisim një peticion për shkarkimin e kryetarit aktual Shpend Ahmeti”, ka thënë Kamberaj.

Gazeta Blic ka kontaktuar disa zyrtarë të PSD-së për t’i pyetur rreth këtij peticioni por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje .

Tutje Kamberaj ka thënë se kanë nisur bisedimet edhe me disa OJQ të cilat kanë dhënë mbështetje në nismën për nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e Ahmetit.

“Menjëherë mbas zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit, kemi nisur të bisedojmë edhe me disa OJQ, me të cilat jemi dakorduar që të nisim peticion për shkarkimin e kryetarit aktual të Prishtinës. Ende besojmë që Ahmeti t’i ketë mbetur sadopak ndërgjegje që të ofrojë dorëheqjen nga pozita e kryetarit të Prishtinës dhe po ashtu ende besojmë se ai tashmë është i vetëdijshëm për peshën e situatës në të cilën gjendet, aq më shumë kur të kihet parasysh se që nga 6 tetori i këtij viti, u pa hapur se ai nuk e gëzon as minimalisht mbështetjen qytetare së pari në kryeqytetin të cilin e drejton, e aq më pak në qytete tjera të Kosovës”, ka thënë Kamberaj.

Kamberaj shkarkimin e Shpend Ahmetit nga pozita e kryetarit të Prishtinës e kishte kërkuar dhe më herët përkatësisht në vitin 2016.

Kryetari i Bashkësisë Lokale të Dardanisë në atë kohë kishte kërkuar dorëheqjen e Ahmetit  për shkak të tejzgjatjes së punimeve në këtë lagje.

Ky i fundit kishte bërë dhe 3 kallzime penale ndaj të parit të kryeqytetit Shpend Ahmeti.

Ahmeti tashmë mban dhe postin e kryetarit të PSD-së, parti e cila në zgjedhjet e 6 tetorit ishte në koalicion me AAK-në por që deri tani nuk ka arritur të sigurojë asnjë ulëse në Kuvend. /Gazeta Blic/